Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE


Е mërkurë, 7 shtator 2011

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI NË SEANCËN SOLEMNE ME RASTIN E 20 VJETORIT TË PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË

I nderuar President i Republikës së Maqedonisë, Z. Gjorge Ivanov,
I nderuar Kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Z.  Nikolla Gruevski,
I nderuar ish-President i Republikës së Maqedonisë, Z. Branko Cërvenkovski,
E nderuara Znj. Villma Trajkovska, bashkëshorte e ish-Presidentit të Republikës së Maqedonisë, Z. Boris Trajkovski,
Të nderuar ish-Kryetarë  të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë,
Të nderuar ish-Kryetarë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit gjyqësor,
Të nderuar deputetë, ministra, përfaqësues të bashkësive fetare, përfaqësues të korit diplomatik, 
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Zonja dhe Zotërinj,

Republika e Maqedonisë e feston 20 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Këto ditë, Maqedonia me krenari i kujton dy dekadat e kaluara në të cilat e zbatuam në vepër ëndrrën shekullore të gjeneratave para nesh. Atdheu ynë u jep respekt dinjitoz sukseseve në të kaluarën, duke shikuar me vendosmëri drejt ardhmërisë! Nuk ka afirmitet më të madh për dashurinë dhe respektin që e kemi ndaj tokës dhe vatrave tona nga bashkimi ynë të cilin bashkërisht e demonstrojmë këtë 8 shtator, duke festuar realizimin e ëndrrës shekullore maqedonase për mëvetësi shtetërore.

Ky jubile i madh, meriton shënim dinjitoz.

Kjo ditë e madhe në historinë tonë më të re e vendos themelin e përgjegjësisë sonë ndaj Maqedonisë, si politikanë dhe si njerëz.

Nuk ekziston krenari më e madhe për një popull se krijimi i shtetit të vet!

8 Shtatori është dita e cila na bashkon të gjithëve nën diellin e Maqedonisë!

8 Shtatori është dita në të cilën dallimet politike humbin para madhësisë së veprës që na është lënë në trashëgimi!

Përfundimisht, rëndësia e 8 Shtatorit është njësi matëse për këtë gjeneratë të politikanëve maqedonas, rezultati i së cilës do ta caktoj kuptimin e të gjithë jubileve vijues!

Në këtë ditë qytetarët e atdheut tonë, përveç pavarësisë, e festojnë lirinë dhe gjithë atë çka paraqet ajo.

Në këtë ditë ngrihet dhe ruhet morali i kombit, bashkëjetesa dhe forca e Maqedonisë.

Në këtë ditë e riafirmojmë lojalitetin tonë ndaj shtetit në të cilin jetojmë, në të cilin jetojnë fëmijët tanë dhe në të cilin e ndërtojmë ardhmërinë tonë.

Për shkak të gjithë kësaj, por edhe për shumë më tepër, Republika e Maqedonisë me të drejtë të plotë meriton shënim të këtillë të ditëlindjes së saj.

Festimi i ditës së pavarësisë është ngjarje tejet e rëndësishme për çdo shtet.

Festimi i ditës së pavarësisë nuk e simbolizon vetëm aktin e arritjes së saj.

Përkundrazi!

Kjo ditë, sjell domethënie simbolike dhe thelbësore shumë më të madhe dhe më të thellë.

Çdo 8 shtator, Maqedonia përkujton luftën shekullore të gjeneratave maqedonase për liri, për të drejta dhe për jetë dinjitoze.

Çdo 8 Shtator, ne kujtojmë idealet shekullore të të gjithë paraardhësve tanë, për mëvetësi dhe për jetë dinjitoze.

Çdo 8 Shtator, Maqedonia kujton se mundësia për ta festuar këtë ditë nuk erdhi vetvetiu.  Ajo paraqet fryt të lëvizjes shekullore maqedonase, saje së cilës, u ruajt kombi, kultura dhe tradita maqedonase.

Gjithashtu, në këtë ditë, duke u përulur para sukseseve në të kaluarën, i vendosim edhe projeksionet për vitet që vijojnë.

Idealet e paraardhësve tanë, e caktojnë madhësinë e synimeve tona!

Trashëgimia e Kryengritjes së Ilindenit dhe manifestit të Krushevës më së miri e pasqyron dëshirën e maqedonasve për paqe, për bashkëjetesë dhe për ardhmëri të ndritshme.

Pa flijimin e paraardhësve tanë, Maqedonia dhe gjithçka që është veçori jona, si komb, do të ishte përgjithmonë e shlyer nga historia.

Prandaj, në këtë ditë, obligimi ynë është që të kujtojmë të gjithë ata të cilët  dhanë kontributin e tyre për ruajtjen e asaj që është maqedonase.

Përmes pjesëmarrjes në 8 Shtator, e ruajmë kujtimin për Ilindenasit e lavdishëm, të cilët në kohë jashtëzakonisht të rënda nuk u gjunjëzuan para sfidave.  Edhe në vitet më të rënda dhe për atë kohë të pashpresë të okupimit dhe asimilimit të pamëshirshëm ata vazhduan ta ruajnë traditën maqedonase dhe frymën maqedonase.

Heronjtë si Goce Dellçev, Nikolla Karev, Dame Gruev, Pitu Guli, Jane Sandanski dhe shumë të tjerë, të cilët e themeluan Republikën e parë në këtë pjesë të Evropës dhe në nder dhe kujtim të të cilëve sot ngritim përmendore, patën sukses ta pengojnë shuarjen e zjarrit kombëtar maqedonas.

Joegoizmi i tyre dhe veprat largpamëse paraqesin amanet të madh për ne, si pasardhës të tyre.

Mundësia që ta jetojmë ardhmërinë për të cilën ata ëndërruan, na obligon që të njëjtën t’ua mundësojmë edhe fëmijëve tanë, fëmijëve të tyre dhe fëmijëve të fëmijëve të tyre.

Por, krahas revolucionarëve të shquar, në këtë ditë, kemi obligim të njëjtë t’i përshëndesim edhe luftëtarët e Luftës Nacionalçlirimtare.

Ata e ruajtën kontinuitetit e luftës maqedonase për pavarësi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kolosët si Metodija Andonov-Çento dhe heronjtë e lëvizjes partizane, janë meritorë për formimin e shtetit të parë maqedonas, edhe pse në strukturë të një entiteti tjetër më të madh.

Duke ndërtuar mbi veprën e tyre kolektive, saktë para 20 vitesh, kjo gjeneratë e qytetarëve të Maqedonisë pati sukses të mbajë zgjedhje për pavarësi dhe mëvetësi të vërtetë shtetërore.

U bëmë, përfundimisht, të zotët e vetvetes!

Arritëm ta realizojmë qëllimin historik, vetë të vendosim për ardhmërinë tonë dhe ta thurim fatin tonë.

Mirëpo, siç ka treguar edhe historia, edhe lufta jonë nuk ishte më pak e ndërlikuar nga ajo e paraardhësve tanë të lavdishëm.

Vitet e 90-ta të shekullit 20 ishin të mbushura edhe me momente të cilat të gjithë duam të mos ndodhin ashtu siç i përkujtojmë.

Rajoni ishte copëtuar prej luftërave dhe ndarjeve.

Jostabiliteti nga i cili ishim të rrethuar kërcënonte ta gëlltisë demokracinë e re të brishtë maqedonase.

Rrethanat e këtilla ishin larg nga lehtësueset për vendin i cili posa i bën hapat e para në botën e demokracisë.

Vetëm falë politikës së urtë të kreut shtetëror maqedonas, në atë kohë, Maqedonia, arriti të mbetet jashtë stuhisë së luftërave jugosllave të cilat morën numër të tejet të madh të viktimave dhe u shkaktuan dëm tejet të madh të gjitha shteteve të reja ballkanike.

Megjithatë, edhe pse Maqedonia arriti t’i mbajë marrëdhëniet miqësore me të gjithë ish-republikat jugosllave, na u desh të ballafaqohemi me sfida njëjtë të mëdha të llojit tjetër.

Për shkak të emrit me të cilin me shekuj identifikohet bashkësia jonë dhe njerëzit që jetojnë në këto hapësira, duheshe të durojmë padrejtësi të mëdha që na kushtuan shumë shtrenjtë.

Në tentim që të mbijetojë në ato kohë të rënda, të cilat në mënyrë plotësuese ishin të ngarkuara me embargon e vendosur nga ana e Greqisë, duheshe të bëjmë lëshime të mëdha të cilat në momente kërcënoheshin ta vënë në pikëpyetje dinjitetin tonë.

Ndryshimi i flamurit shtetëror dhe Kushtetutës në vitin 1995, në interes të ruajtjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore, nuk u njohën nga Republika e Greqisë si qëllim i sinqertë i Republikës së Maqedonisë për bashkekzistencë të qetë me shtetet tjera të rajonit.

Edhe pse, së bashku me Slloveninë, ishim republika e parë që i plotësonte të gjitha kushtet për pavarësi dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara, neve kjo e drejtë na u shkurtua.

Zhvillimi i këtillë i ngjarjeve, nuk kontribuoi për stabilizimin e shtetit dhe për zhvillimin e demokracisë.

Atë, që as atëherë, e as tani shumica nuk e kuptojnë, kur flasim për problemin me emrin tonë kushtetues, është ajo që Maqedonia nuk na takon vetëm neve, sot.

Trashëgimia maqedonase, nuk është pronë dhe e drejtë e vetëm e kësaj ose e cilësdo gjenerate tjetër maqedonasish!

Trashëgimia maqedonase, është aq e jona, sa që është e bashkëkohësve, e revolucionarëve të mëdhenj, e luftëtarëve të LNÇ-së, por edhe e të gjitha gjeneratave të ardhshme të maqedonasve!

Duke pasur parasysh këtë përgjegjësi tejet të madhe ndaj asaj që është e jona, doemos duhet të kemi të qartë se nuk mundemi dhe nuk guxojmë të lejojmë të marrim vendime të cilat nuk kemi të drejtë t’i marrim.

Madje, çka do të kishim qenë po të mos ishim maqedonas!?

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Vitet e 90-ta të shekullit 20 për Maqedoninë sollën edhe një tjetër, sfidë të madhe që la gjurmë të përhershme në historinë tonë.

Kalimi nga pronësia shoqërore, në ekonomi të tregut, u tregua si pengesë shumë e madhe për shtetin tonë.

Procesi i privatizimit, me të cilin duheshe të bëhet tranzicion i qetë, dështoi në mënyrë katastrofale dhe ishte shkak për problemet shumëvjeçare që lanë plagë të thella mbi shoqërinë maqedonase dhe standardin jetësor të qytetarëve.

Përgatitja e dobët për zbatimin e këtij kalimi nënkuptonte mbylljen e numrit të madh të fabrikave dhe ndërmarrjeve në të cilat bazoheshe ekonomia maqedonase dhe nga të cilat siguronin ekzistencën qindra mijëra bashkëqytetarë tanë.

Njohja sipërfaqësore e sistemit kapitalist, si dhe keqpërdorimet e bëra në këtë periudhë në mënyrë plotësuese e keqësuan ekonominë e brishtë maqedonase të cilës iu desh menaxhim i mirë për t’i tejkaluar krizat e shkaktuara nga embargoja dhe futja e valutës kombëtare.

Pasojat nga kjo katastrofë kombëtare ndjehen  madje edhe sot.

Si rezultat i kësaj, u paraqit shkalla enorme e lartë e papunësisë, numri tejet i madh i punëtorëve të falimentuar dhe zvogëlimi i përgjithshëm i standardit jetësor në shtet.

E madhe është tragjedia dhe padrejtësia që u bë në atë periudhë.

Mijëra familje ishin shpërbërë për shkak të tensionit dhe stresit tejet të madh që ishte shkaktuar, nga jostabiliteti ekonomik dhe lufta për ekzistencë.

Është tragjike që pothuajse një gjeneratë e tërë maqedonasish duhej të jetojë në kushte aq jonjerzore dhe jodinjitoze, siç mbisundonin në kohën e tranzicionit.

Kujtimi i këtyre kohërave jo të lavdishme është me të vërtetë i rëndë.

Megjithatë, duke shikuar prapa, nëpër çka kaluam dhe çka tejkaluam, nuk mundem, të mos ndjejë krenari.

Duke kaluar nëpër dekadën e fundit të shekullit 20, Maqedonia tregoi se ka shpirt të pathyeshëm dhe vullnet të pamposhtur për ekzistencë.

Vetëm një komb jashtëzakonisht i fortë mund të merret me probleme të këtilla bartëse!

Maqedonia tregoi se di t'i tejkalojë të gjitha sprovat dhe sfidat!

Leksionet që i mësuam dhe njohuria për të cilën jemi më të urtë, do të kujdesen që asnjëherë më të mos duhet të kalojmë nëpër periudhë të këtillë, të errët.

Testet, në të cilët u vendos vendimi ynë që të vazhdojmë më tej, të jetojmë dhe të punojmë për ardhmëri më të mirë, janë edhe një fakt për përkushtimin tonë.

Vendimi i këtillë të jemi këmbëngulës, nuk ishte i kotë.

Duke tejkaluar vitet e hershme të pavarësisë maqedonase, arritëm të ngadhënjejmë për kohëra më të mira.

Duke i’u adoptuar rregullave të reja të lojës, që i solli ekonomia e tregut, ngadalë, por sigurt, filluam të hapërojmë drejt suksesit.  Ndoshta kemi pasur nevojë që një kohë të caktuar t'i zhvillojmë këto aftësi, mirëpo nga perspektiva e sotshme lirisht mund të themi se Maqedonia është ekonomi evropiane me rritje të shpejtë.

Në dekadën që vijoi e vendosëm fokusin e zhvillimit ekonomik, sepse ditëm se me përmirësimin e tij do të ndryshohet jeta në Maqedoni.

Dhe nuk gabuam!

Ekonomia është gjuha universale që e flet bota e zhvilluar.

Bëmë hapa të mëdhenj, në kohë shumë të shkurtë.

Arritëm ta tërheqim vëmendjen e korporatave të mëdha që kanë forcë dhe interes ta sjellin biznesin e tyre në vendin tonë.

Tradita jonë e nikoqirit të mirë, e cila është e thurur në kulturën tonë, ta hedhim edhe në botën ekonomike, u tregua si e drejtë.

Maqedonia u tregoi bizneseve të mëdha se di si të kujdeset për ata të cilët investojnë në të.

Kam kënaqësi të madhe që mund të konstatoj se kjo strategji jep rezultate.

Shpresa, se me përmirësimin e forcës ekonomike do të na mundësohet që edhe në mënyra tjera të përmirësohet edhe jeta e qytetarëve, qëndron e arsyeshme.

Në këto njëzet vite, fokusin primar, krahas ekonomisë, e drejtuam në përmirësimin e drejtësisë, gjyqësisë, luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar.

Ditëm se përveç stabilitetit ekonomik, puna tjetër më e rëndësishme për qytetarët është siguria e tyre dhe qeverisja e së drejtës.

Duke pasur parasysh se këto dy sfera janë të ndërlidhura dhe të ndërvarura ngushtë investuam përpjekje mbinjerëzore që të bëjmë progres sa më të madh të mundshëm, në kohë sa më të shkurtër të mundshme.

Në këtë besoj dhe se arritëm.

Kjo politikë duhet të vazhdojë të jetë pjesë e punës sonë derisa e kryejmë obligimin dhe përgjegjësinë e madhe që të udhëheqim me shtetin.

Ligjet ekzistojnë për t’u respektuar!

Zhvillimi i marrëdhënieve ndëretnike është kapitulli vijues të cilin e shënon ky jubile i madh!

Maqedonia është shtet i barabartë, si për popullin maqedonas, ashtu edhe për shqiptarët, turqit, serbët, romët, vllahët, boshnjakët....

Besimi në Maqedoninë dhe ndjenja të jesh zot i vetvetes, na bashkon të gjithëve, pa dallim të gjuhës që e flasim dhe Zotit të cilit i lutemi.

Edhe pse në këtë plan kishim pengesa të rënda për t'i tejkaluar, megjithatë, Maqedonia, si edhe më parë në histori, në vitin 2011 e shënoi Manifestin e saj të ri të Krushevës në frymën e Marrëveshjes kornizë.

Me këtë edhe më shumë i forcuam themelet e ardhmërisë sonë të përbashkët.

Treguam se dashuria ndaj Maqedonisë në mënyrë të barabartë mund të shprehet fuqishëm, si në gjuhën maqedonase, ashtu edhe në gjuhët e bashkëqytetarëve tanë tjerë.

Kultura dhe tradita maqedonase na ndajnë dhe bëjnë ajo që jemi.

Këto 20 vite në mënyrë të vërtetë filluam ta kuptojmë dhe festojmë kulturën dhe vlerën tonë historike.

Nuk lejuam të harrojmë se kush jemi dhe nga jemi.

Nuk lejuam që inercioni i pushtetit socialist të depërtojë edhe në realitetin e ri demokratik.

Nuk lejuam që emrat e mëdhenj të historisë sonë të pasur dhe heroike të bien në haresë.

Përfundimisht, siç i ka hije çdo shteti, nuk lejuam të mos kemi vend ku do të mund të vëmë lule dhe tu japim respekt atyre paraardhësve tanë të lavdishëm, të cilët i dhanë jetët e tyre, që të jetojmë të lirë, siç jetojmë sot.

Njëzet vitet e kaluara treguam se dimë se si ta sigurojmë zhvillimin e ardhshëm të kulturës, historisë dhe traditës maqedonase.

Zonja dhe Zotërinj,

Që nga vetë pavarësimi, Republika e Maqedonisë qartë e theksoi dëshirën për t’u bërë pjesë integrale e botës perëndimore së cilës natyrshëm edhe i takojmë.

Përcaktimi i këtillë u soll  në bazë të ndjenjës së të gjithë qytetarëve dhe subjekteve relevante politike dhe shoqërore. 

Ky konsensus i përgjithshëm ka qëndruar deri më sot, pa marrë parasysh dallimet të cilat natyrshëm paraqiten ndërmjet partive politike.

Jam i bindur se i njëjti do të vazhdojë të jetë njëjtë dhe në mënyrë konstruktive i mbështetur nga të gjitha subjektet relevante, posaçërisht nëse kemi parasysh progresin që Maqedonia e realizoi në këtë fushë në 20 vitet e kaluara.

Angazhimet tona të përbashkëta për ardhmërinë euroatlantike, doemos të jenë të mbështetura në mënyrë adekuate dhe përmes veprave përkatëse.

Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë mund të arrijmë ta nxjerrim maksimumin e asaj që anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO mund t'i ofrojnë Maqedonisë.  Në të kundërtën, na pret një betejë e rëndë, para së gjithash me vetveten, e cila mundet, e që nuk guxojmë të lejojmë, të na kushtojë shtrenjtë.

Zhvillimi i rendit demokratik, mbisundimi i së drejtës dhe reformat në sferat tjera janë procese që meritojnë dhe kërkojnë mbështetje nga të gjitha subjektet politike.

Ata zbatohen para së gjithash, për të mirën e Maqedonisë dhe qytetarëve tanë.

Me realizimin e tyre, Maqedonia  natyrshëm do tu afrohet kritereve që këto organizata i kanë parashtruar për aderim në radhët e tyre. Kjo disa herë u tregua si e saktë. Ashtu ishte dhe rasti me liberalizimin e vizave - hap të cilin qytetarët e Maqedonisë me padurim e prisnin që nga instalimi i sistemit të vizave.

Masat që janë marr për përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve, ishin shkak dhe për dhënien e rekomandimeve për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Edhe pse rrallë e merr mbështetjen e gjerë politike që e meriton, rezultatet tregojnë se edhe në qoftë se e ka, ajo do të ishte krejtësisht e arsyetuar.

Në mënyrë plotësuese mbështetja e këtillë do të kontribuonte edhe për zvogëlimin e tensioneve të panevojshme që e karakterizojnë skenën politike maqedonase në vitet e kaluara.

Nga këto shkaqe, apeloj deri te të gjitha subjektet relevante, me ndershmëri dhe me mirëbesim të përpiqen të kontribuojnë kah realizimi i qëllimeve strategjike të Republikës së Maqedonisë.

Në aspekt të integrimit në NATO, Republika e Maqedonisë i realizoi kriteret e kërkuara që në vitin 2008.

Modernizimi i Armatës, i cili u zhvillua në pajtim me standardet të parashtruara nga vendet-anëtare të Aleancës, u zbatua me sukses dhe e njëjta është e vlerësuar, që u konfirmua edhe në samitin në Bukuresht në vitin 2008.

Përkundër të gjitha gjërave, Maqedonia mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin e ngushtë me vendet që i konsideron për aleate të saj.

Të dashur miq,

Të gjithë mbajmë përgjegjësi të barabartë për Maqedoninë!

Të tregojmë se jemi të bashkuar  dhe se kemi fuqi  të ngjitim maje më të larta, duke u përballur me guxim me të gjitha sfidat që vijnë.

Dallimet tona politike, duhet të zhduken para çështjeve të rëndësishme shtetërore.

Bashkimin e të gjitha partive, duhet ta afirmojmë edhe më shumë.

Qytetarët presin nga ne bashkim dhe bashkëpunim.

Nuk ka, arsye më të madhe  për bashkim, se MAQEDONIA!

Nuk ka, arsye më të madhe për unitet, se ARDHMËRIA E QYTETARËVE TANË!

NUK KA, RAST  MË TË MADH  PËR MANIFESTIMIN E KËTILLË PUBLIK, SE 8 SHTATORI!

Me këtë mesazh, sinqerisht Ju përshëndes.

Të jetojmë në paqe me veten , me fqinjët tanë dhe ata që janë të ndryshëm nga ne.

Të jemi të krishterë të mirë dhe myslimanë të mirë.

Të vazhdojmë edhe më shumë ta duam tokën e vatrave tona,  sepse ajo është vendi i vetëm  në këtë botë, që mund ta quajmë vatra jonë.

T’i gëzohemi brezave tonë, që janë ardhmëri në këtë vend, sepse çdo gjë që bëjmë do të jetë e padobishme në qoftë se nuk kemi, kujt, atë, tua  lëmë.

Le të jetë me fat 20-vjetori i shtetit tonë të ri me komb të vjetër biblik.

Le të jetë i përjetshëm dhe i bekuar nga Zoti , atdheu ynë, Republika e Maqedonisë.

Ju faleminderit.

 
a

Na ndiqni në: