Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE


E Mërkurë, 11 korrik 2012

FJALIMI I Z.TRAJKO VELJANOSKIT, KRYETAR I KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË NË MBYLLJEN ZYRTARE TË IPA PROJEKTIT - NDIHMA TEKNIKE E PARLAMENTIT                                                   

I nderuari ambasador Orav,
E nderuara znj.Arifi,
E nderuara znj.Birzniece,
Të nderuar të pranishëm,

Kam kënaqësinë që sot, pas 18 muajsh nga fillimi i projektit të dedikuar për përforcimin e kapaciteteve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në procesin e eurointegrimit dhe veçanërisht procesin e negociatave për anëtarësim, mund që zyrtarisht ta mbyllim këtë projekt dhe t'i konstatojmë arritjet dhe rezultatet e deritanishme. Njëkohësisht, projekti paraqet edhe verifikim të arritjeve të Kuvendit të cilat u shënuan në Raportet për progresin e Republikës së Maqedonisë të Komisionit Evropian. 

Rruga e qeverive dhe parlamenteve të vendeve-kandidate deri në anëtarësimin nuk është as e lehtë, as e thjeshtë. Parlamentet janë veçanërisht të prekur nga fakti që humbin një pjesë të kompetencave të tyre në procesin e negociatave, ndërsa njëkohësisht duhet të vazhdojnë të luftojnë dhe ta mbajnë lidhjen tyre me votuesit e tyre - qytetarët dhe t'i plotësojnë kërkesat e tyre. 

Gjatë këtij procesi, nga Parlamenti kërkohet që të shqyrtojë dhe miratojë mijëra faqe të legjislacionit evropian, i cili duhet të inkorporohet në legjislacionin vendor, zbatimi i të cilit jo gjithmonë është i mirëseardhur nga qytetarët.

Nga ana tjetër, në fazën para anëtarësimit në BE, para nesh qëndrojnë një seri reformash kushtetuese, ligjore, institucionale dhe organizuese të cilat duhet t'i realizojmë në mënyrë që të bëhemi partner i barabartë me parlamentet tjera të vendeve-anëtare të BE-së dhe Parlamentit Evropian.

Për gjithë këtë, Kuvendi duhet patjetër në mënyrë të kujdesshme dhe gjithëpërfshirëse ta informojë opinionin për përfitimet nga eurointegrimi dhe anasjelltas, të merr informata nga shoqëria për çështje të cilat kanë rëndësi esenciale për punën dhe jetesën e tyre të përditshme. Krahas detyrave në plan vendor, Kuvendi ka për obligim dukshëm ta promovojë rolin e tij dhe t'i promovojë reformat e bëra. Këtë do ta bëjë në kuadër të aktiviteteve të parlamenteve të vendeve-anëtare dhe në Parlamentin Evropian, duke shfrytëzuar çdo mundësi për promovimin e Kuvendit dhe Republikës së Maqedonisë si vend i cili meriton të jetë anëtar i BE-së. Në atë drejtim, konsideroj se kontaktet më intensive me koleget tanë parlamentarë dhe europarlamentarë do të kontribuojnë që ato të marrin informata për gjithë atë që ne e bëjmë në procesin e eurointegrimit.

Në kuadër të projektit Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dha kontribut të saj me furnizim të pajisjes për arkivimin e video historisë maqedonase nga seancat plenare të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë nga pavarësia e saj, si një karakteristikë e zhvillimit të demokracisë maqedonase në dhjetë vitet e kaluara, si dhe për shkak të transparencës më të madhe ndaj qytetarëve. Në këtë kontekst, dhe në bazë të përvojave komparative, hapëm edhe BE qendër informative në hapësirat e Kuvendit, ku mund të merren informata lidhur me risitë, politikat, institucionet, historinë, vlerat dhe të drejtën e Bashkimit Evropian. 

Njohuritë dhe informatat që i fituam gjatë projektit, tashmë mund t'i aplikojmë gjatë dialogut paraaderues ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Komisionit Evropian, ku Kuvendi do të ketë, gjithashtu, rol të rëndësishëm. Për ne, si shtet i cili që shtatë vite është me status të kandidatit dhe i cili shumë vite suksesshëm e implementon Marrëveshjen për stabilizim dhe asociim, fillimi i kësaj faze shumë të lartë në marrëdhëniet e ndërsjella me Bashkimin Evropian është shënuar me udhërrëfyes konkret për aktivitetet tona të ardhshme. 

Republika e Maqedonisë dhe institucionet e saj shtetërore e përshëndesin qëndrimin e Komisionit se procesi i zgjerimit duhet doemos të bëhet kredibil për të gjithë shtetet-aspirantë, veçanërisht për atë që shënojnë progres në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës. Prapëseprapë, duhet patjetër të përmendet se qëllimi i dialogut është që t'i jepet shtytje e re procesit reformues dhe me atë të përforcohet besimi për perspektivën evropiane të vendit, kjo nuk paraqet zëvendësim, por urë deri në fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. 

Anëtarësimi në BE imponon realizimin e shumë reformave themelore. Në Republikën e Maqedonisë, procesi i reformave dhe harmonizimit me të drejtën evropiane shihet si nevojë për arritjen e standardeve evropiane dhe ngritjen e fuqisë së konkurrencës të ekonomisë sonë. Kuvendi, si përfaqësues i vërtetë i qytetarëve, ka rol veçanërisht të rëndësishëm për futjen e principeve, standardeve dhe vlerave nga korpusi evropian në jetën e përditshme. 

Përfundimi i suksesshëm i këtij projekti me kapacitete të zmadhuara të Kuvendit është edhe një vërtetim për gatishmërinë e institucioneve të fillojnë negociata për anëtarësi në Bashkimin Evropian. Sinqerisht shpresoj se Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian do t'i marrin parasysh përkushtimin dhe reformat që i bën Republika e Maqedonisë dhe do të caktojnë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, meqë kjo është qëllim strategjik i të gjitha partive politike dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.

Në fund dëshiroj sinqerisht t'u falënderohem të gjithë pjesëmarrësve në këtë projekt. 

Ju faleminderit për vëmendjen.

 
a

Na ndiqni në: