Udhëheqja parlamentare



E premte, 12 prill 2013

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI NË KONFERENCËN RAJONALE TË BURSISTËVE IPS 2013

Të nderuar kolegë deputetë,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Jetojmë në kohë të ndryshimeve dhe reformave të vazhdueshme, kohë në të cilën dituria është faktor i rëndësishëm për përparimin e çdo vendi. Bota jonë do të jetë vend i tmerrshëm nëse në çdo epokë nuk do i ofrojë diçka për hulumtim. Por, natyra, e veçanërisht shoqëria, nuk i zbulon menjëherë të gjitha sekretet e saj dhe sekretet e tjerëve. Dituria është proces evolues, proces i braktisjes së të vjetrës ndërsa proces i pranimit dhe përshtatjes ndaj të rejës. Një pjesë e vlerave transformohen dhe zëvendësohen me rrugë dhe zgjidhje të reja dhe të freskëta. Diturinë politike mund ta paramendojmë si një përrua. Ajo duhet të rrjedhë, të përsoset nga individi në individ, nga gjenerata në gjeneratë, nga vendi në vend, nga parlamenti në parlament. Nëse kufizohet vetëm për vete ose për një grup të vogël njerëzish, ajo vdes, bëhet e rrejshme, e ngjashme me ujërat e kënetave. Pas një kohe të caktuar në të mblidhet pluhuri dhe ajo bie në amulli. Prandaj edhe bartja e përvojave dhe shkathtësive te gjeneratat e reja, përkatësisht rrjedha e pandërprerë e edukimit demokratik dhe politik, paraqet një prej aktiviteteve më të rëndësishme, por edhe më të ndërlikuara.  

Bursa parlamentare ndërkombëtare (IPS) është aktivitet tradicional i Bundestagut të Gjermanisë përkatësisht projekt i parlamentit gjerman i cili të rinjve të angazhuar politikisht u jep mundësi të informohen për sistemin parlamentar të Republikës Federative të Gjermanisë. Bashkëpunimi i tillë nxit fitimin e njohurive për demokracinë parlamentare në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore dhe praktikisht mësohet jeta politike, akademike dhe kulturore e Republikës Federative të Gjermanisë

Në këtë aspekt, do të doja ta shpreh kënaqësinë time që nga ky vit un si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë e marr përsipër patronazhin për bursat IPS. 

Njëkohësisht, dëshiroj ta shfrytëzoj rastin për t'u falënderuar për pjesëmarrjen e tridhjetë personave të rinj nga Republika e Maqedonisë në këtë program të çmuar.  Një seri intelektualësh të rinj me suksese solide dhe kualifikime të shkëlqyeshme, sociale, gjuhësore dhe ndërkulturore nga vendet të cilat marrin pjesë në programin IPS e përfunduan praktikën me sukses. Këto bursistë të rinj dhe të motivuar sot janë ekspertë në profesionet e tyre dhe ambasadorë të koncepteve gjermane dhe evropiane për bashkëpunim, demokraci parlamentare dhe bashkëjetesë, për të cilat u informuan më thellësisht në sajë të programit të IPS. 

Pres që edhe në të ardhmen të vazhdojë realizimi i suksesshëm i këtij programi dhe bashkërisht t'u japim mundësi të rinjve të njoftohen me jetën politike, akademike, ekonomike dhe kulturore të Republikës Federative të Gjermanisë duke bartur dhe praktikuar këto përvoja të çmuara në vendet e tyre.

Prioritet i yni strategjik është integrimi në strukturat euroatlantike. Pra, të gjitha politikat e vendit, strategjitë, kornizat ligjore dhe shkathtësitë të harmonizohen me standardet dhe kushtet për inkuadrim në ato organizata. 

Shtetet në rajonin, në të cilin gjendemi, ende ballafaqohen me proces të jashtëm të përbashkët në tranzicionin politik, ekonomik dhe kulturor, prandaj bashkëpunimi rajonal duhet doemos të mbetet prioritet. 

Duke pasur parasysh karakterin rajonal të konferencës dhe pjesëmarrjes së bursistëve nga 10 vendet e rajonit, dëshiroj ta riafirmoj përkrahjen tonë për mundësitë të cilat Republika Federative e Gjermanisë i ofron për ndërtimin e kapaciteteve të të rinjve nga Evropa Juglindore. Me format e tilla të ndihmës dhe bashkëpunimit nxitet zhvillim i qëndrueshëm më të harmonizuar dhe më të balancuar, si dhe përforcimi i kohezionit ekonomik dhe social.            

Në fund, edhe njëherë, me kënaqësi dëshiroj ta përshëndes konferencën e sotme dhe të gjithë juve t'ju dëshiroj angazhime të suksesshme profesionale.  

Click