Aktivitete

E mërkurë, 11 mars 2020

KRYETARI XHAFERI E PROMOVOI RAPORTIN E MANDATIT PËR PUNËN E VET

Sot, me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në promovimin e Raportit të Mandatit për punën e tij gjatë periudhës së mandatit prej në maj 2017 deri në shkurt 2020, ishin të pranishëm nënkryetarët e Kuvendit, Misovski, Remenska Ramçilloviq, koordinatorët Jovan Mitreski, Ejup Alimi, deputeti Panço Minov, sekretarja e përgjithshme Ivanova, si edhe ambasadorët dhe përfaqësuesit e ambasadave të vendeve anëtare të BE-së dhe jashtë saj, dhe përfaqësues të USAID -it dhe NDI-së.

Kryetari Xhaferi, në fillim të takimit falënderoi për përgjigjen e madhe ndaj ftesës së tij dhe u uroi mirëseardhje në këtë takim që në fakt është mënyrë e rrumbullakimit të mandatit të tij i cili filloi në mënyrë të ngjashme, në vetë fillimin kur u takua me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Në fjalën hyrëse, e arsyetoi shkakun për përpilimin e këtij Raporti të Mandatit, i cili përpilohet për herë të parë për një kryetar Kuvendi, dhe ky është përcaktimi i tij për transparencën në punë, lënien e gjurmës për këtë punë. Në fillim, bëri një pasqyrim të shkurtër të përmbajtjes së raportit i cili është i ndarë në disa pjesë, gjegjësisht, Pjesa hyrëse në të cilën drejtohet direkt te ato që e kanë publikimin në dorë, dhe këtu flet për aspektin e tij personal të të parit dhe kuptimit të kësaj detyre të rëndësishme, me ç'rast theksoi se prioritetet e tij kanë qenë të jetë kryetar i dhomës ligjvënëse të të gjithë qytetarëve dhe gjithë deputetëve, të punojë në drejtim të arritjes së Kuvendit funksional, dhe Kuvendit transparent dhe të hapur për bashkëpunim ndaj qytetarëve, organizatave joqeveritare dhe ndërkombëtare. Pas Pjesës hyrëse, vazhdon pjesa me Arritjet e Kuvendit në periudhën e  mandatit të tij dhe ku ai ka pasur kontributin e tij personal, ku janë numëruar aktet e miratuara me rëndësi thelbësore për përforcimin e demokracisë, memorandumet e nënshkruara për bashkëpunim dhe projektet. Mandej vazhdon pjesa me aktivitetet e jashtme-politike bilaterale, aktivitetet e jashtme - politike multilaterale, fjalimet që i ka pasur dhe pasqyrë tabelore e numrit të përgjithshëm të seancave të realizuara plenare. Raporti i mandatit përfundon me informatë për aktivitetet tjera të Kryetarit, siç janë intervista, mysafir në televizione, takime me qytetarë e tjetër. I njëjti është përpiluar në tri gjuhë, shqip, maqedonisht dhe anglisht dhe versioni i tij elektronik është në dispozicion në ueb faqen e Kuvendit.

Nga të pranishmit në takim, i pari për fjalë u paraqit ambasadori Zhbogar i cili falënderoi për mundësinë të jetë pjesë e këtij takimi të bukur dhe rikujtoi se ai ishte ambasadori i parë i cili ishte mysafir në kabinetin e Kryetarit Xhaferi menjëherë pas zgjedhjes së tij, që mandej të organizohen takimet e para në Bruksel me përfaqësuesit kryesorë të Unionit, akt i cili ishte në shenjë të konfirmimit të zgjedhjes së tij. Ambasadori Zhbogar theksoi se gjatë mandatit të tij, bashkëpunimi me Kryetarin Xhaferi, me Kuvendin dhe kryesinë ka qenë gjithmonë i afërt, i sinqertë dhe të gjithë kanë qenë gjithmonë të hapur për bashkëpunim. Vërtetim i atij bashkëpunimi të suksesshëm është dialogu i suksesshëm Zhan Mone, i cili mbahet në vazhdimësi dhe ai shpreson se ky ritëm i vendosur do të vazhdojë edhe me përbërjen e re parlamentare, për konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë dhe rritjen e transparencës. Mandej morën fjalë ambasadori i Rumanisë dhe Shqipërisë, të cilët falënderuan për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe i uruan sukses në angazhimin e mëtejshëm Kryetarit Xhaferi. Fjalë mori edhe nënkryetarja Remenski e cila theksoi se viteve të kaluara, si deputetë, bashkë me Kryetarin, kanë qenë të drejtuar para vendimeve me të vërtetë të vështira, për të cilat opinioni kishte perceptime të ndryshme dhe se tani pritet verifikimi i atyre vendimeve, respektivisht anëtarësimi në NATO dhe marrja e datës për fillimin e negociatave me BE-në.

Ajo theksoi se Kryetari Xhaferi e arsyetoi besimin e të gjithë qytetarëve dhe qëndroi fortë, i drejtuar, me mençuri, virtyt dhe gatishmëri diplomatike dhe dorë të shtrirë ndaj të gjithëve. Në takim foli edhe deputeti Panço Minov i cili tha se ndryshimet kushtetuese dhe të gjitha ligjet reformuese u miratuan me kontributin e rëndësishëm dhe shkathtësinë në menaxhim të Kryetarit Xhaferi dhe trajtimit të tij të çdonjërit si person, gjithçka në drejtim të miratimit të asaj që është në interes të qytetarëve dhe të shtetit. Si sukses më të madh të Kryetarit dhe të kësaj përbërjeje parlamentare e konsideron miratimin e Ligjit për Kuvendin, me ndryshimet në pjesën për pavarësinë e shërbimit dhe pavarësinë financiare të dhomës ligjvënëse.

Në fund, Kryetari Xhaferi u falënderoi të gjithëve për bashkëpunimin, për mbështetjen dhe kontributin në arritjen e qëllimeve të nënvizuara, gjegjësisht, të jetë model i politikanit i cili mban llogari për njerëzit, për shtetin, dhe këtë e konsideron për obligim jo për privilegj.  

 
a

Na ndiqni në: