Aktivitetet

Е enjte, 8  prill 2021

Takimi i Kryetarit Xhaferi me Sh.S. Tamara Liluashvili

Në takimin e sotëm me ambasadoren e sapoemëruar të Gjeorgjisë, SH.S. Tamara Liluashvili, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, shprehu shpresë se pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Gjeorgjisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2019, më në fund do të fillojmë në mënyrë intensive të punojmë në planin e avancimit dhe intensifikimit të komunikimit bilateral dhe bashkëpunimit politik në të gjitha nivelet. Në këtë drejtim, ai shprehu kënaqësi për atë që në Parlamentin e Gjeorgjisë është formuar Grupi parlamentar treanëtarësh për bashkëpunim me Kuvendin tonë dhe potencoi se së shpejti do të përgjigjemi në mënyrë reciproke edhe ne ndaj këtij gjesti. 

Kryetari Xhaferi e përshëndeti propozimin për nënshkrimin e Marrëveshjes mes dy qeverive për abrogimin e ndërsjellë të regjimit të vizave për bartësit e dokumenteve biometrike të udhëtimit dhe shprehu shpresë se së shpejti do të nënshkruhet dhe ratifikohet kjo Marrëveshje dhe kjo do të paraqesë mundësi të bukur për komunikim më të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet dy vendeve. “Më gëzon ajo që muajin e ardhshëm në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të vijë Presidentja e Gjeorgjisë dhe kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer për fillimin e bashkëpunimit politik të ndërsjellë në nivelin më të lartë,” theksoi Kryetari Xhaferi.  

Ambasadorja e sapoemëruar e Gjeorgjisë, Sh.S. Tamara Liluashvili falënderoi për mundësinë për takim me Kryetarin e Kuvendit dhe theksoi se paraqet nder dhe kënaqësi që është emëruar ambasadore e parë e Gjeorgjisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në këtë drejtim, ajo shprehu bindjen se në periudhën para nesh do të krijohen kushte për hapjen edhe të ambasadave rezidente në të dy vendet, me çka komunikimi ynë diplomatik gradualisht do të intensifikohet dhe do të jetë në nivelin e dëshiruar. 

Ambasadorja e Gjeorgjisë, drejtoi ftesë zyrtare në emër të Kryetarit të Parlamentit të Gjeorgjisë, z. Arçill Tallakvadxe, për Kryetarin e Kuvendit Xhaferi, për vizitë zyrtare në Gjeorgji në periudhën e ardhshme. Po ashtu, nga ana e Shkëlqesisë së Saj, u shpreh mirënjohje për mbështetjen tonë ndaj Rezolutës gjeorgjiane në vitin 2009 për “Statusin e personave përbrenda të shpërngulur dhe refugjatëve nga Abkhazia, Gjeorgjia dhe rajoni i Osetisë Jugore”. Ajo shtoi “Ju urojmë për anëtarësimin Tuaj në NATO dhe Ju mbështesim në rrugën drejt BE-së!”

Click