Udhëheqja parlamentare

E enjte, 8 korrik 2021

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në evenimentin promovues të IPA Tvining Projektit për “Përmirësimin e revizionit të jashtëm dhe mbikëqyrjes parlamentare” 

I nderuar shef i Delegacionit të Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ambasadori Dejvid Gir, 
I nderuari Kryerevizor i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.  Maksim Acevski, 
I nderuar Kryerevizor i Entit Shtetëror të Revizionit të Republikës së Kroacisë, z. Ivan Kleshiq,
I nderuar kryetar i Zyrës Nacionale të Revizionit të Republikës së Bullgarisë, z. Cvetan Cvetkov, 
Të nderuar udhëheqës projekti,
Zonja dhe zotërinj,

Më vjen mirë që sot mundem në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut t’ju përshëndes të gjithë Ju të pranishëm këtu në Shtëpinë evropiane dhe ato që na përcjellin onlajn dhe të shpreh këndvështrimin tim për IPA Tvining Projektin për “Përmirësimin e revizionit të jashtëm dhe të mbikëqyrjes parlamentare”. Kuvendi, si organ përfaqësues i qytetarëve, ka të drejtë dhe obligim të patjetërsueshëm të kujdeset për interesin e qytetarëve dhe mënyrën se si harxhohen paratë publike dhe një nga mënyrat e përforcimit të mekanizmave për bërjen e mbikëqyrjes parlamentare është gjithsesi përforcimi i bashkëpunimit me institucionin më të përshtatshëm për këtë në vend, respektivisht, Entin Shtetëror të Revizionit i cili si institucion i pavarur, në kohë dhe në mënyrë objektive e informon Kuvendin për të gjitha gjetjet revizore që i konstaton gjatë revizioneve të realizuara. Në periudhën e kaluar, ndërmjet dhomës ligjvënëse dhe Entit Shtetëror të Revizionit është vendosur një praktikë që deri në fund të vitit rrjedhës të dërgohet Programi vjetor për punën e Entit në vitin e ardhshëm, që shërben për informimin e Kuvendit për atë se cilat subjekte do të jenë lëndë e revizionit vitin e ardhshëm. Mandej, çdo raport përfundimtar i revizionit dërgohet në Kuvend për informim ndërsa deri më 30 qershor të vitit rrjedhës dërgohet edhe Raporti vjetor i punës për vitin paraprak.  Ky raport shqyrtohet nga Kuvendi dhe për të njëjtin miratohen konluza.

Të nderuar,

Në kuadër të Tvining projektit të parë për përforcimin e bashkëpunimit të Kuvendit me Entin Shtetëror të Revizionit, si pjesë e mbështetjes së Bashkimit Evropian, u realizuan dy vizita studimore të deputetëve dhe shërbimit të Kuvendit në Parlamentin e Republikës së Kroacisë dhe Parlamentin e Republikës së Bullgarisë, me qëllim që anëtarët e Komisionit të Financave dhe Buxhetit të njoftohen me mënyrën dhe modalitetet e shqyrtimit të raporteve revizore përfundimtare në këto dy vende. Vizitat studimore janë të rëndësishme duke e marrë parasysh se deputetët njoftohen me kornizën institucionale të bashkëpunimit, procedimin e raporteve revizore, shqyrtimin dhe diskutimin e tyre dhe vendimmarrjen për të njëjtat nga ana e Parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së.  Ato mundësojnë që me anë të shkëmbimit të përvojave të përcaktohet se cilat hapa reformuese duhet ti ndërmarrë Kuvendi, sidomos ato juridike dhe institucionale me qëllim që të vendoset një sistem i qëndrueshëm i bashkëpunimit ndërmjet Entit Shtetëror të Revizionit dhe pushtetit ligjvënës në pjesën e mbikëqyrjes mbi harxhimin e mjeteve publike dhe llogaridhënies më të madhe të organeve dhe institucioneve të sektorit publik që financohen nga buxheti i shtetit. Falë kësaj përvoje, në Kuvend tani më kanë filluar konsultimet për trajtimin formal të raporteve revizore në drejtim të vendosjes së mekanizmit efektiv të shqyrtimit të raporteve revizore dhe marrjes së konkluzave për të njëjtat. Trupi më i përshtatshëm për shqyrtimin e raporteve revizore është gjithsesi Komisioni i Financave dhe Buxhetit, por ka opinione edhe për formimin e një nënkomisioni në kuadër të Komisionit të Financave dhe Buxhetit. Duhet të bëhen ndryshime dhe plotësime edhe të Ligjit për revizionin shtetëror me të cilat do të vendosej obligim ligjor për shqyrtimin e raporteve revizore përfundimtare, sepse për momentin, në pajtim me zgjidhjen ekzistuese ligjore, të njëjtat parashtrohen në Kuvend, siç theksova disa herë më lartë, vetëm për informim. Për këtë qëllim, në Planin strategjik të Kuvendit për periudhën 2021-2023 është planifikuar të vendoset mekanizëm dhe praktikë e ndërtuar e parashtrimit të raporteve revizore përfundimtare, grupimit të tyre sipas temave, njohja e deputetëve me të njëjtat dhe shqyrtimi i raporteve revizore përfundimtare në Kuvend.

Në kuadër të këtij tvining projekti, hapi i parë është përpilimi i Memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Entit Shtetëror të Revizionit, për të cilin shpresoj se kah fundi i muajit gusht do të mundemi ta nënshkruajmë, sepse projekt - Memorandumi tani më është përpiluar dhe do të prezantohet para Kuvendit. Ajo që është me rëndësi që gjatë shqyrtimit të raporteve revizore të bëhet shprehi, është të ekzistojë nivel i lartë i unitetit ndërmjet opsioneve të ndryshme politike, të jetë objektive me ç’rast do të jetë jorelevante se kush është bartësi i pushtetit ekzekutiv ose cilit opsion politik i takon funksionar i caktuar i zgjedhur, gjegjësisht, pavarësisht nga ajo se cilat parti janë në pushtet a cilat në opozitë, qasja në trajtimin e raporteve revizore duhet të jetë uniforme, objektive, transparente, me nivel të lartë të profesionalizmit gjatë leximit, kuptimit dhe vendosjes për raportet revizore nga ana e deputetëve.

Më lejoni të falënderoj për vëmendjen dhe të uroj sukses në implementimin e Projektit! 


Click