Udhëheqja parlamentare

E martë, 6 korrik 2021, Ohër 

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Festivalin Ballkanik të këngëve dhe valleve popullore 2021

E nderuar ministre e Kulturës, znj. Irena Stefoska,
I nderuar Kryetar i Komunës së Ohrit, z. Konstantin Georgievski, 
I nderuar drejtor i Institucionit Nacional, Qendra e Kulturës "Grigor Përliçev", z. Goran Simonoski,  
Të nderuar artistë, 
Të nderuara mediume,
Zonja dhe zotëri, respektues të muzikës dhe valles popullore, 

Më vjen mirë që mund të shpreh gëzimin tim të sinqertë që sonte jam përsëri në këtë qytet shumë të bukur, sepse javën e kaluar isha pjesë e Forumit të Prespës për Dialog që mbahej po ashtu në Ohër. Me këtë rast, më lejoni t'ju përshëndes në emrin tim dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, shtëpisë suaj dhe mbështetësit të sinqertë të festivalit më të vjetër ndërkombëtar të këtij lloji në Ballkan, Festivali Ballkanik i këngëve dhe valleve popullore i cili sonte, për gëzimin e madh të të gjithë admiruesve shënon edicionin e 60-të jubilar pasi për herë të parë u mbajt në vitin e largët 1962. 

Me këtë rast, fillimisht dua të drejtoj urime për Institucionin Nacional, Qendra e Kulturës "Grigor Përliçev", drejtorin dhe gjithë ekipin për vazhdimësinë, përkushtimin, kujdesin dhe dashurinë që i investojnë në mbajtjen në jetë të këtij manifestimi të shkëlqyer, në ruajtjen e lidhjeve folklorike, etnologjike, tradicionale, të riteve, lidhjeve kulturore dhe mbi të gjitha, lidhjeve miqësore me të gjitha vendet në fqinjësinë e afërme dhe të largët të Ballkanit, përfaqësuesit folklorikë të cilët do të defilojnë këto ditë mbi kalldrëmin e Ohrit antik, këngët dhe vallet e të cilëve do të jehojnë në këtë skenë madhështore dhe unike të Sarajit të Poshtëm, dhe do e çrregullojnë qetësinë e liqenit duke i transmetuar tingujt mahnitës në të gjitha anët e botës. Kjo është vetëm edhe një mënyrë e vendosjes së bashkëpunimit, e ndarjes së pasurisë kulturore të popujve, e shprehjes së respektit ndaj tëndes por edhe ndaj të huajës. Këtu, me gërshetimin e rrëfimeve të ndryshme historike që i prezanton çdo ansambël, çdo këngë dhe valle, njoftohemi, kuptohemi, respektojmë dhe në mënyrë të këndshme, joimponuese dhe të bukur për shpirtin i hedhim poshtë të gjitha paragjykimet dhe dyshimet ndaj gjithçka që është e panjohur dhe e huaj për ne. 

Të nderuar mysafirë, 

Kremtimi i artit dhe ekspresionit artistik janë mënyra më e bukur e diplomacisë dhe promovimit të çdo shteti, të çdo kombi, dhe është e vërtetë e padyshimtë se çdo vend, çdo popull, çdo artist-individ ka çfarë të ofrojë, prezantojë dhe me këtë të tërheqë vëmendjen tonë dhe të meritojë respektin tonë. Prandaj, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhomë përfaqësuese e të gjithë qytetarëve të vendit tonë kaq të bukur, të cilët janë me prejardhje të ndryshme etnike, ka respekt tejet të madh ndaj këtij manifestimi i cili mundëson afirmimin dhe promovimin e pasurive të ndryshme kulturore të popujve në Ballkan, a edhe më gjerë. Të rrëfehet historia dhe të promovohen karakteristikat kulturore me anë të muzikës, këngëve dhe valleve është shkathtësi e madhe dhe për ne paraqet nder të madh që jemi mbështetës të një evenimenti të këtillë kulturor tradicional. Ju inkurajoj që edhe në të ardhme të vazhdoni me ruajtjen dhe promovimin e këtij festivali ndërsa dhoma ligjvënëse do të jetë pranë jush që bashkë t'ua mbjellim gjeneratave të reja dashurinë ndaj këngëve dhe valleve popullore, që ndjenja e krenarisë dhe kënaqësisë nga veçantia e asaj që është e jona të kontribuojë në tolerancën dhe respektimin e tyre ndaj asaj të ndryshmes.

Prandaj, dua të shpreh respektin dhe mirënjohjen time ndaj të gjtihë pjesëmarrësve në këtë festival për shkak të mesazhit universal të pranimit të dallimeve që e transmetojnë me anë të këngëve dhe valleve. Gjithsesi, ju dëshiroj qëndrim të paharrueshëm në margaritarin ballkanik - Ohrin aq të bukur, dhe me këto dëshira, artistë të dashur, mysafirë të nderuar, e shpall Festivalin e 60-të Ballkanik të këngëve dhe valleve popullore të hapur.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe uroj një mbrëmje të bukur! 


Click