Udhëheqja parlamentare

E premte, 5 mars 2021

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në punëtorinë onlajn me temën Parlamenti i Fëmijëve 

Të dashur nxënës,
Të nderuar arsimtarë,

Të nderuar mysafirë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, edhe pse, mysafirë në mënyrë virtuale për fat të keq. Besoj se për të gjithë ju do të ishte shumë më interesant në rast se kishim mundësi t’ju mirëpresim edhe fizikisht këtu, në ndërtesën e dhomës ligjvënëse, ku për së afërmi do të mund të shihnit dhe të bindeni edhe vetë se ajo që e shihni herë pas here në televizor, në fakt është një realitet i vërtetë i cili zhvillohet aq afër jush, dhe është aq e arritshme për të gjithë ju. Mirëpo, e di se edhe ju, si edhe të gjithë njerëzit nëpër botë, jeni të vetëdijshëm për rrezikun shëndetësor nëpër të cilin kalon e gjithë bota dhe për protokollet shëndetësore të cilat doemos të respektohen me qëllim që të zvogëlohet ose tërësisht të çrrënjoset pandemia me KOVID-19 dhe prandaj lus për mirëkuptim dhe durim derisa të mundim këtë të keqe. Të kthehem përsëri në ditën e sotme dhe arsyen për takimin tonë të sotëm, respektivisht punëtorinë dhe parlamentin e fëmijëve. Unë jam i sigurt se e keni të njohur atë për çka flas, për shkak se mësimi për të tre pushtetet mbi të cilat themelohet dhe ndërtohet një shtet është pjesë përbërëse e programit mësimor në arsimin fillor, gjegjësisht pushteti ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Unë jam Kryetari i Kuvendit, dhe jam i pari ndër të njëjtit, që do të thotë se edhe unë jam para së gjithash deputet, si edhe 119 kolegët e mi, vetëm se në këtë mandat, kam edhe një përgjegjësi plus, dhe kjo është, të jem Kryetar i të gjithë deputetëve, kolegëve të mi dhe për mua kjo paraqet nder dhe privilegj të jashtëzakonshëm. Me këtë rast, duhet të jem objektiv, i paanshëm, i drejtë dhe gjithmonë në dispozicion dhe i hapur për një dialog konstruktiv, bisedë dhe kuptohet, mbështetje. Përgjegjësia ime është edhe të kujdesem për funksionalitetin e Kuvendit dhe për kryerjen e suksesshme dhe të papenguar të funksionit kryesor, respektivisht, nxjerrjen e ligjeve, qofshin ato ligje të reja apo të ndryshuara dhe plotësuara. Pse na duhen ligjet? Sepse pa pasur ligje dhe rregullim ligjor të çdo çështjeje, të çdo të drejte, të çdo obligimi të qytetarëve ndaj shtetit dhe të shtetit ndaj qytetarëve, në vend do të ndodhte kaos dhe prishje e rendit.

Të dashur nxënës,

Kuvendi, si dhoma përfaqësuese e qytetarëve, është pasqyrë dhe refleksion i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që do të thotë, në çdo përbërje të re parlamentare, kemi përfaqësues të të gjitha bashkësive etnike në vend, kështu që, kemi deputetë maqedonas, shqiptarë, turq, serb, vlleh, romë dhe të tjerë. Të gjithë ato, në radhë të parë i përfaqësojnë qytetarët që kanë votuar për to dhe i kanë zgjedhur në njësitë zgjedhore ku janë kandiduar. Kjo është kështu sepse çdo deputet, më së miri e njeh mjedisin prej ku vjen. I di problemet me të cilat ballafaqohen lokalisht bashkëqytetarët, bashkëfshatarët e tij, dhe është i pari dhe më i thirruri të arsyetojë dhe të kërkojë zgjidhje për problemin këtu, në nivelin qendror, qoftë nëse bëhet fjalë për nevojën e ndryshimit ose plotësimit të ndonjë zgjidhjeje ligjore ose po nxjerrjes së ndonjë tërësisht të reje. Për shkak se, ky është qëllimi i ligjeve, të lehtësojnë jetën e qytetarëve me atë që do të mundësojnë të drejta dhe obligime të njëjta, trajtim të drejtë dhe jodiskriminues para fytyrës së drejtësisë, gëzim të të drejtave themelore dhe universale të njeriut, të cilat janë në fuqi në çdo pjesë edhe më të vogël të planetit tonë Tokë. Me këtë rast, sigurimin e mundësive të njëjta konkurruese për të gjithë në tregun e punës, sigurimin e mundësive të njëjta për përkujdesjen shëndetësore, për arsimim, përkryerje dhe hapje të horizonteve të reja të diturisë. Kjo do i bëjë qytetarë të kënaqur dhe besnikë të cilët shtetin e shohin si shtëpinë dhe vendstrehimin e vet ku do të mund të realizojnë qëllimet, dëshirat dhe planet e veta për të ardhmen. Besoj se arrita t’ju prezantoj deri diku se sa e rëndësishme është puna e deputetëve në dhomën ligjvënëse. Tani, duke e marrë parasysh se jemi fytyra e popullit, kuptohet se duhet të japim shembull personal me atë që do të jemi dinjitoz në gjithçka që bëjmë, gjegjësisht, kur do të kemi paraqitje publike në foltore, kur kemi diskutim ose po debat për çështje të caktuara të cilat i prekin qytetarët tanë ose po kemi replika dhe kundër replika ndaj kolegëve tanë deputetë. Sidomos duhet të mbajmë llogari për atë se si fjalët që i përdorim, gjestet që i bëjmë dhe gjuha e trupit që e praktikojmë, si reflektohen mbi qytetarët tanë, si e pranojnë ato çdo fjalë, çdo qëndrim ose anë në të cilën pozicionohemi. Sepse, pa dallim në atë se prej cilës parti politike vijmë, cilin program e mbështesim, udhërrëfyesi ynë gjithmonë duhet të jetë mirëqenia dhe barazia e të gjithë qytetarëve tanë, bashkimi dhe lufta e përbashkët për të nesërmen më të mirë. Motivimi ynë duhet të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut e avancuar, e suksesshme dhe e zhvilluar, vend në të cilin sundon demokracia dhe drejtësia, vend shembull për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, mbështetës i fuqishëm dhe kontribuues në paqen rajonale dhe botërore.

Të dashur fëmijë,

Sot ju do të merrni pjesë në këtë punëtori në të cilën do e luani rolin e deputetit dhe do të debatoni në temën “Mësimdhënia onlajn në krahasim me mësimdhënien me prani fizike të nxënësve” dhe unë besoj se do arrini të kuptoni fuqinë e fjalës, fjalimit dhe fuqinë që e ka një ligj. Le të jetë kjo vetëm një fragment i udhëtimit tuaj të quajtur jetë, vetëm një hyrje e vogël në participimin tuaj aktiv në jetën shoqërore dhe politike në vend. Bëhuni të mirë në gjithçka që bëni, bëhuni të guximshëm në çdo vendim që e merrni dhe bëhuni krenarë për çdo punë të mirë që e bëni në jetën tuaj. Unë gëzohem për ditën kur ndonjëri prej jush, i inkurajuar nga punëtoria e sotme, do të vendosë të jetë pjesë e dhomës ligjvënëse, me vizion të qartë dhe qëllim të nënvizuar – të japë maksimumin për më të mirën e vendit tonë dhe të qytetarëve tanë.

Ju uroj sukses dhe ju falënderoj për vëmendjen! 

Click