Udhëheqja parlamentare

E hënë, 2 gusht 2021 

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në shënimin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës  

Të nderuar ministra në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut 
Të nderuar përfaqësues të Kabinetit të Presidentit të Republikës, 
Të nderuar kolegë të përbërjes aktuale dhe përbërjeve paraprake të Kuvendit,
Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtatmadhorisë së Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, 
Të nderuar përfaqësues të Lidhjes së luftëtarëve të Luftës Çlirimtare Kombëtare dhe Antifashiste të Maqedonisë (LÇKAM),
Të nderuar avokatë të shtetit të rajonit të Shkupit, 
Të nderuar përfaqësues të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut,I nderuar përfaqësues i Akademisë së Shkencave dhe Artit të Maqedonisë (ASHAM), 
Të nderuar përfaqësues të pushtetit lokal,
Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare,
Të nderuar përfaqësues të partive politike në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut,Shkëlqesi, përfaqësues të korit diplomatik në Republikën e Maqedonisë së Veriut,
Përfaqësues të mediumeve,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe zotëri

 

Mirë se erdhët para dhomës ligjvënëse dhe njëherazi dhomës përfaqësuese të qytetarëve. Është kënaqësi e imja që këtë vit t’ju përshëndes dhe të jem mikpritësi Juaj para kësaj ndërtese si Kryetari i Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe njëherazi t’ju uroj mirëseardhje në emrin tim personal dhe në emër të kolegëve të mi deputetë të kësaj përbërjeje parlamentare, në shënimin e sotëm solemn të 2 Gushtit, Ditës së Republikës, kur shënohen 118 vite nga Republika e Krushevës nga viti 1903 dhe 77 vite nga Kuvendi i  parë i KAÇKM- së nga viti 1944, që paraqesin dy shtyllat mbi të cilat themelohet shtetësia e vendit. Ajo që sot jemi këtu, e nuk jemi në Krushevë, ose po në Pelincë, ose pak më majtas para përmendores së Metodija Andonov Çentos nuk bën aspak dallim në drejtim të rëndësisë së kësaj feste, në drejtim të jetëgjatësisë ose po në drejtim të asaj se ku gjithë gjendet fryma e bashkësisë, guximit, vizionit, gjegjësisht, asaj që paraqet konceptin që i përshkruan vlerat e përbashkëta që i kremtojmë dhe i festojmë. Festa nuk është lidhur me një vend të caktuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ajo jeton, lind përsëri dhe përsëri, me çdo ditë të re, me çdo gjeneratë të re të rinjve që për çdo ditë përballen me sfida të reja, çdo ditë i bëjnë betejat e veta personale dhe kolektive për një të nesërme më të mirë, për një jetë më cilësore, zhvillim profesional dhe përkryerje dhe ardhmëri të sigurt. Shteti ynë është bashkim i dallimeve, mozaik unik në të cilin secila pjesë unike është rritur dhe zhvilluar mbi rrënjët e veta që kanë qenë dhe janë konfirmim i jetëgjatësisë dhe qëndrueshmërisë së popujve që kanë jetuar dhe kanë qenë pjesë e këtij nënqielli. Nëse e shohim Manifestin e Krushevës, nëse i shohim edhe dokumentet e KAÇKM-së prej vitit 1944, do të shohim se qartë janë definuar të drejtat dhe liritë e përgjithshme të njeriut, ku qartë definohet karakteri multietnik, multikulturor dhe multikonfesional i shtetit tonë, dhe do të bindemi se historia, ngjarjet nëpër të, vetë e kanë determinuar rrugën nëpër të cilën duhet të ecet nëse e ndjekim arsyen që e ka imponuar nevojën për bashkim kah qëllimi i fundit i vetëm i natyrshëm dhe i realizueshëm, dhe ky është shtëpi e përbashkët për të gjithë me vizion të kthjellët, mençuri dhe arsye, për të gjithë që e kanë tejkaluar kornizën e ngushtë dhe egoiste, e kanë hapur mendjen dhe i kanë përqafuar fuqishëm bukuritë që i ofron respekti dhe bashkëpunimi i ndërsjellë, duke e pranuar shprehjen e veçorive dhe karakteristikave të çdo bashkësie etnike, të kulturës, gjuhës, simboleve të identitetit si e drejtë e natyrshme që është vlerë e shtuar e vendit tonë mirëpo, duke e pasur parasysh edhe strukturën në fqinjësi dhe rajon, vlerë e shtuar edhe në rajon dhe më gjerë. 

 

Të nderuar, 
Gjithsesi se nëpër vitet e rritjes dhe zhvillimit të vendit nuk ishte lehtë të mbijetohet, të ruhet paqja dhe të përforcohet ruajtja dhe siguria e kufijve dhe e qytetarëve tanë, nuk ishte lehtë të mbahet as stabiliteti ekonomik. Republika e Maqedonisë së Veriut, sado që të jetë e vogël me territor, ka rëndësi të konsiderueshme gjeopolitike dhe nuk ka qenë jashtë ngjarjeve globale dhe në mënyrë konsekuente, ato  ngjarje janë derdhur dhe kanë pasur ndikim në rrugën zhvillimore të shtetit. Mirëpo, dëshira për shtet të përbashkët, të lirë, të pavarur, shtet në të cilin respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut do të jetë e njëjtë për të gjithë qytetarët pa dallim në përkatësinë etnike, fetare apo cilësdo përkatësi tjetër ka dominuar dhe vendin tonë e tregojnë si shembull i ndritur dhe rrëfim i suksesshëm në rajon. Kuptohet, ajo që u bëmë vendi i 30-të anëtar i Aleancës së fuqishme ushtarako-politike të NATO-s shkon në favor të konstatimit se lëvizim në rrugën e drejtë. Morëm vendime të vështira, shtetërore, të cilat e debllokuan rrugën tonë kah integrimet euroatlantike dhe në atë rrugë maturuam politikisht, edhe ne si politikane, edhe qytetarët tanë por, paraprakisht u përkushtuam ndaj vendosjes dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, edhe pse, si duket punët përsëri u ndërlikuan, për fat të keq. Kontesti me Republikën e Bullgarisë e vështirëson ecurinë tonë kah familja evropiane, edhe pse ishim dhe akoma jemi të hapur për dialog të sinqertë, të mësuar nga përvoja jonë shumëvjeçare me një vend tjetër fqinj se vetëm dialogu i hapur është mënyra e vërtetë për arritjen e zgjidhjeve të ndërsjella të pranueshme. Dhe, më lejoni të ndërlidhem në Rezolutën e miratuar para do kohe për përcaktimin e pozitave shtetërore maqedonase në kontekst të bllokimit të integrimeve evropiane, që u miratua në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut më 29 korrik 2021 me votim të njëzëshëm pohues të deputetëve nga proveniencat e ndryshme.

 

Pra, a nuk është ky konfirmimi më i mirë për atë se kemi respekt të ndërsjellë, e  bëjmë betejën e përbashkët për mbajtjen në jetë të ëndrrës të gjithë heronjve të njohur e të panjohur të cilët nëpër vite e kanë dhuruar më të shtrenjtën? Bashkë, po! Sepse ka një konstantë dhe kjo është se, as e mira, as e keqja, nuk përzgjedh sipas emrit, nuk përzgjedh sipas kombit, nuk përzgjedh sipas fesë, gjinisë, statusit social apo ekonomik, nuk zgjedh as sipas përkatësisë politike, thjesht, ndodh dhe në një çast, të gjithë njëlloj jemi të drejtuar para çastit të ri. Dhe, momente të tilla kanë ekzistuar, për këtë dëshmon edhe historia e shkruar, dëshmitë e gjalla, këngët e kënduara dhe gojëdhënat e rrëfyera. Momente të atilla të sfidave ekzistojnë edhe tani dhe besoj se i keni të njohur edhe Ju në këtë kohë të pazakontë të pandemisë globale e cila e kaploi tërë botën dhe i hodhi në gjunjë edhe ekonomitë më të fuqishme dhe sistemet më të përgatitura shëndetësore. Edhe njëherë u konfirmua e vërteta e madhe se vetëm bashkë, vetëm të bashkuar mund të ngadhënjejmë, mund të mposhtim konkretisht në këtë rast, virusin KOVID - 19. Në këtë rrugë, pësuam shumë humbje të pakthyeshme, para së  gjithash njerëzore, por, edhe materiale por, shpresoj se nxorëm edhe mësim i cili është më se i njohur në popull, por si duket vetëm me përvojë personale mund të bindemi, dhe kjo është shtrenjtësia e shëndetit tonë, shëndetit të qytetarëve tanë.

 

Të nderuar mysafirë,
Të dashur miq,
Sot, kur e shënojmë Ditën e Republikës, nuk mundemi mos e përmendim edhe jubileun që vijon më 8 Shtator, gjegjësisht, plot 30 vite nga shpallja e pavarësisë së shtetit. Plot 30 vite shtet i pavarur, sovran, i lirë. Vite në të cilat përjetuam shumë, kishim fitore dhe disfata, kishim vendime të drejta, dhe ndonjëherë edhe të gabuara, mirëpo nxorëm edhe mësime që na ndihmuan të transformohemi në një shoqëri më të mirë dhe më të përparuar. Këtë vit kremtojmë edhe një jubile, respektivisht 20 vjetorin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit me të cilën u vendos struktura e re e kohezionit tonë ndëretnik, me vendosjen e rregullave të reja të kohezionit shoqëror që do të jetë themeli më i fortë dhe më solid mbi të cilin do e ndërtojmë të gjithë bashkë ardhmërinë tonë euroatlantike. Me atë Marrëveshje të paqes, rruga vazhdoi, sepse ka edhe shumë për të bërë, ka edhe shumë ura për të ndërtuar, ura të miqësisë, të fqinjësisë së mirë dhe ura të ndërlidhjes, brenda dhe jashtë shtetit, në rajon dhe më gjerë, mirëpo, gjithçka është më lehtë kur jemi të gjithë bashkë, të bashkuar me vizion dhe qëllim të përbashkët.  

 

Të nderuar qytetarë,
Më lejoni të shpreh respekt ndaj jush sepse, pa dallim në të gjitha sukseset dhe dështimet, pa dallim në vështirësitë dhe krizat nëpër të cilat kemi kaluar, ju, qytetarët, pa dallim në përkatësinë etnike, fetare, politike ose cilado tjetër përkatësi, nuk lejuat të çrregullohet fryma e bashkimit, e bashkëjetesës dhe tolerancës. Janë vlerat që i keni konfirmuar nëpër gjithë historinë tonë të përbashkët, vlera që i konfirmoni edhe në përditshmëri, sepse gjithmonë keni ditur dhe dini bashkë ti ndani momentet e bukura dhe ato jo aq  të bukura që i sjell jeta. Kemi një shtet të përbashkët dhe të gjithë jemi përgjegjës ta ruajmë dhe zhvillojmë, për ne dhe për gjeneratat e ardhshme. Ky është borxhi ynë ndaj gjithë atyre që luftuan për një shtet të atillë qytetar, shoqëri e të gjithë qytetarëve ku do të rriten fëmijët, nipërit tanë dhe gjeneratat e ardhshme që meritojnë të jetojnë, të rriten. arsimohen dhe krijojnë në Republikën Evropiane të Maqedonisë së Veriut, shtet bashkëkohor dhe i prosperuar i qytetarëve evropianë. 

Ju faleminderit për vëmendjen, Ju uroj ditë të bukur festive!

Click