Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 7 korrik 2021

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në shkëmbimin e ekspertëve me Kuvendin kosovar organizuar nga DKAF-i 

E nderuar Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë të Kuvendit kosovar,
E nderuar znj. Antje Fric, zëvendës-udhëheqëse e Divizionit për Evropën dhe Azinë Qendrore, 
I nderuar z. Mark Remillar, menaxher programor për Maqedoninë e Veriut, Të nderuar ekspertë,
Të nderuar përfaqësues të DKAF-it,
Zonja dhe zotërinj,

Më vjen mirë që sot mundem në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut t’ju përshëndes dhe të kontribuoj me këndvështrimin tim në këtë shkëmbim ekspertësh në temën “Trajtimi parlamentar me informacionet e klasifikuara dhe krijimin e një dhome të sigurt në Kuvend”.  Ne në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, tani më jemi në mund të them, fazë më të avancuar se Ju kolegë të nderuar, falë bashkëpunimit dinamik dhe të frytshëm që e kemi me miqtë tanë DKAF me të cilët, edhe pse kemi filluar me bashkëpunim qysh në vitin 2017, në vitin 2018 nënshkruam Memorandum për zbatimin e projektit “Zhvillimi i mbikëqyrjes parlamentare dhe të pavarur”.  Ndërsa për atë se pse ishte i nevojshëm ky bashkëpunim, besoj se nuk do të them asgjë të re krahas asaj që ju kolegë të nderuar të Kuvendit kosovar nuk e detektuat si nevojë dhe domosdoshmëri në përpjekjet tuaja për përmbushjen e kushteve të duhura për anëtarësim në Aleancën e NATO-s. Ne, tani më jemi anëtare e 30-të e plotfuqishme e kësaj aleance të fuqishme ushtarako-politike mirëpo, që të vijmë në këtë fazë, paraprakisht duhej të bëhen krahas pjesës politike, edhe një sërë reformash konkrete të mbështetura me ndryshime ligjore në sektorin e sigurisë dhe zbulimit dhe reforma të institucioneve që kanë mandat të bëjnë mbikëqyrje dhe kontroll mbi to, dhe që janë jashtëzakonisht të rëndësishme në drejtim të sigurimit të tranzicionit demokratik dhe kthimit të besimit të opinionit në institucionet e shtetit, me ç’rast Kuvendi, si dhomë ligjvënëse a para së gjithash si tempull i demokracisë dhe zëri i qytetarëve dhe mbrojtës i të drejtave dhe lirive të tyre, është vendi ku të gjitha reformat e duhura, proceset e domosdoshme dhe mekanizmat mbrojtëse vihen në kornizë ligjore e cila do të jetë struktura rreth së cilës do të ndërtohen të gjitha raportet e ardhshme. Me kënaqësi mund të them se edhe krahas tërë intensitetit dhe zhvillimit të ngjarjeve në vendin tonë, Projekti e ndjek në mënyrë konsekuente dinamikën e parashikuar  sipas Planit Aksional dhe deri tani, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë nxjerrë katër ligje të kësaj fushe, respektivisht Ligji për ndjekjen e komunikimeve, Ligji për Agjencinë Operative Teknike, Ligji për Agjencinë e Sigurisë Nacionale dhe Ligji për koordinimin e bashkësisë të sigurim-zbulimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. 

Kolegë të dashur,

Në përgatitjet për anëtarësimin në NATO, a sidomos pas pranimit, imponohen standarde të caktuara për vendet anëtare dhe institucionet e tyre, sepse pas pranimit në NATO, Kuvendi ynë bëhet Kuvendi i anëtares së NATO-s, që do të thotë se doemos të respektohen dhe ndërtohen standardet më të larta të sigurisë së dokumenteve sensitive dhe të klasifikuara me të cilat konkretisht, disponon Kuvendi. Me këtë mbrohen jo vetëm interesat nacionale por edhe interesat e aleatëve tanë. Pikërisht atëherë u shfaq edhe nevoja për ndërtimin e Dhomës së Mbrojtur apo të Sigurt dhe hapësirës - që u propozua nga DKAF-i si një aktivitet dhe partneritet i përbashkët për ndërtimin dhe instalimin e një dhome dhe hapësire të atillë, ide e cila ishte bashkërisht e pranuar, sidomos sepse në atë interval kohor zhvilloheshin në mënyrë të përshpejtuar përgatitjet për anëtarësimin në NATO. Kjo u bë pjesë e Planit Aksional i cili është pjesë përbërëse e Memorandumit të mirëkuptimit që e nënshkroi Kuvendi ynë me DKAF-in dhe është plan i aprovuar dhe pranuar nga Kryesia e Kuvendit dhe të gjitha subjektet politike relevante.  Natyrisht, për këtë ka edhe bazë ligjore, gjegjësisht, në vitin 2020 u nxor Ligji i ri për informacionet e klasifikuara, i cili është harmonizuar me standardet evropiane dhe të NATO-s, dhe me të cilin në fakt imponohen norma dhe standarde të caktuara ligjore për Kuvendin, si edhe në fakt për të gjitha institucionet që disponojnë me informacione të klasifikuara, respektivisht, të ndërmarrin masa dhe aktivitete për sigurinë administrative, fizike dhe industriale, të sigurisë së sistemeve të komunikim-informimit, si edhe për sigurinë e personave-shfrytëzues të informacioneve të klasifikuara. Tani do i potencoj vetëm veçoritë kryesore që duhet ti posedojë një dhomë e atillë, sepse për hollësitë teknike do të flasin njerëz tjerë të inkuadruar në projekt.  Domethënë, kjo duhet të jetë hapësirë e shkallës më të lartë, të shkallës së ashtuquajtur të parë të sigurisë së dokumenteve me klasifikimin më të lartë. Njëherazi, doemos ti plotësojë të gjitha standardet e mbrojtjes audio dhe anti- radiacionit dhe të jetë e pajisur me pajisje përkatëse mbrojtëse që të garantohet fshehtësia e informacioneve sensitive dhe të klasifikuara dhe të parandalohet rrjedhja e tyre eventuale, që mund të ketë efekt të madh negativ mbi interesat nacionale dhe po ashtu supranacionale të shtetit. Mos flas për reflektimin negativ në imazhin e shtetit dhe seriozitetin në qasjen ndaj mbrojtjes së këtyre interesave. Prandaj, në këtë kontekst, duke e pasur parasysh se DKAF-i është i përkushtuar në atë që shtetet dhe njerëzit të jenë më të sigurt në suazat e sundimit demokratik, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, mund të them me kënaqësi se partneriteti me DKAF-in në këtë projekt, si nga aspekti financiar, ashtu edhe në atë profesional, është shembull pozitiv i bashkëpunimit, duke filluar prej idesë deri në realizim, që ishte me komunikim dhe konsultim të vazhdueshëm ndërmjet të dyja palëve. Momentalisht, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, projekti është në fazën e përzgjedhjes së ofertuesit më të përshtatshëm në pajtim me normat ligjore për realizuesin e punëve ndërtimore të dhomës së sigurt, pas çka do të vijojë realizimi i saj në aspektin ndërtimor dhe pajisja me pajisjen përkatëse. Në ndërkohë, DKAF-i furnizoi një pjesë të pajisjes që do të instalohet në hapësirën dhe e cila i plotëson standardet më të larta TEMPEST të mbrojtjes nga radiacioni. 

Të nderuar kolegë,

Dëshiroj t’ju informoj se hapësira parashikohet që në radhë të parë të jetë për shfrytëzimin e Kuvendit dhe të Komisioneve që punojnë me informacione të klasifikuara, por në të njëjtën kohë, ajo do të mund tu jepet për shfrytëzim organeve tjera shtetërore në rast se kanë nevojë për këtë dhe kuptohet, me aprovimin e Kuvendit. Kuvendi, si dhoma më e lartë e demokracisë, me këtë jep shembull për arritjen e standardeve më të larta për këtë çështje, me çka u jep sinjal të qartë edhe institucioneve të pushtetit ekzekutiv se edhe ato doemos ti respektojnë obligimet e ndërmarra dhe standardet nga anëtarësimi në NATO. Për këtë arsye, planifikojmë të orientohemi edhe në drejtim të ngritjes së vetëdijes te institucionet për nevojën e mbrojtjes së informacioneve të mbrojtura dhe rreziqeve nga përdorimi  i paautorizuar apo keqpërdorimi i tyre.

Të nderuar,

Në këtë kontekst, kisha dashur të nënvizoj edhe përvojat pozitive nga bashkëpunimi me vendet evropiane gjatë gjithë procesit, sidomos me Parlamentin e Republikës së Sllovenisë, i cili na përkrahu me vetëmohim në idenë dhe ndihmoi në konceptimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë. Me NATO partnerin tonë, Republikën e Sllovenisë, gjegjësisht Parlamentin kishim shkëmbim të shkëlqyer të përvojave rreth konceptimit të Dhomës së Sigurt disa herë, e posaçërisht të dobishme ishin dy vizitat e realizuara të punës në të cilat profesionistë nga Kuvendi, të cilët janë të inkuadruar në projektin dhe nga Drejtoria e Sigurisë së Informacioneve të Klasifikuara, kishim shkëmbim të njohurive dhe përvojave me kolegët e tyre, që më vonë u zbatuan në procesin e realizimit të Dhomës së Sigurt në Kuvend, proces i cili kuptohet, siç përmenda edhe më herët, është akoma në zhvillim.   

Zonja dhe zotërinj,

E di, ndryshimet nuk janë të lehta, nuk janë as të preferuara, mirëpo, as ne, as Ju, dhe në fakt vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, nuk guxojmë të ndalojmë, doemos të ecim në hap me kohën dhe ndryshimet që i sjell çdo ditë e re dhe çdo etapë e kaluar e anëtarësimit apo aspirimit për anëtarësimin tonë në NATO dhe BE, sepse, të jesh pjesë e aleancës së fuqishme të NATO-s, pjesë e familjes evropiane, është qëllim strategjik dhe përcaktim i dy vendeve tona, por edhe i vendeve në rajon. Kjo do të kontribuojë për sigurinë dhe ndjenjën e sigurisë te qytetarët tanë dhe do të ndikojë pozitivisht mbi mirëqenien ekonomike dhe dëshirën e gjeneratave tona të reja të mbesin dhe të ndërtojnë ardhmërinë e vet këtu, në shtëpi.   

Të nderuar kolegë dhe miq, Ju faleminderit për vëmendjen! 


Click