Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE

E hënë, 10 maj 2021

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Bashkimit Evropian në temën:„Sfidat dhe mundësitë e demokracisë reprezentative që i sjell sfera publike e cila ka ndryshuar me digjitalizimin” 

I nderuar dr. Vollfgang Shojble, Kryetar i Bundestagut gjerman,
I nderuar dr. Rajner Hasellhof, Kryetar i Këshillit Federal (Bundesrat),
Të nderuar kolegë, kryetarë të parlamenteve nga rajoni,
Zonja dhe zotëri,

Më lejoni t’ju përshëndes nga hapësirat e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në pamundësi të takimit tonë të gjallë sepse pandemia për fat të keq akoma na imponon masa të kujdesit dhe respektimit të protokolleve. Por përsëri, pa dallim në mënyrën e zhvillimit të kësaj Konference, morëm informata hyrëse të dobishme nga mikpritësit tanë, nga ekspertët e nderuar, gjatë sesionit do të arrijmë të këmbejmë përvoja nga parlamentet tona nacionale në diskursin aktual, do të përcjellim prezantime të mira dhe do të kemi një pasqyrë më të qartë për atë se si ky ndryshim me digjitalizimin në sferën publike ndikon mbi demokracinë reprezentative, çfarë sfide përfaqëson për të dhe cilat janë mundësitë që i ofron. Unë mund të konfirmoj një përfitim konkret për Republikën e Maqedonisë së Veriut, respektivisht, falë digjitalizimit, në Senatin spanjoll, në formatin virtual u ratifikua Protokolli për aderimin tonë në Aleancën e NATO-s me çka u rrumbullakua procedura për anëtarësimin tonë të plotfuqishëm për çka jemi jashtëzakonisht mirënjohës. 

Të nderuar, 

Gjithsesi se digjitalizimi do të vinte kurdo që të jetë, duke e marrë parasysh zhvillimin e përshpejtuar teknologjik, globalizimin, nevojën për një hapësirë të pakufizuar të hulumtimit, të punës, pjesëmarrjes në tregun global të punës, të arsimit, të shërbimeve dhe krijimit të opinionit publik për çështje të caktuara konkrete, por edhe të përgjithshme. Hapësira digjitale ofron një hapësirë të pa censuruar për shprehjen e mendimeve, duke e pasur parasysh lirinë e të shprehurit, mirëpo në të njëjtën kohë, është edhe një truall i frytshëm për përhapjen e fjalimit të urrejtjes, të lajmeve të rrejshme me qëllim të krijimit të pasqyrave të gabuara dhe të rrejshme për çështje konkrete dhe për manipulimin e të menduarit të personave që u nënshtrohen ndikimeve, që nuk i verifikojnë faktet dhe burimet e lajmeve dhe besojnë në gjithçka që është servuar në rrjet dhe me këtë bëhen pjesë e veprimeve destruktive dhe manipuluese dhe të forcave që kanë prapavija të zymta dhe të paqarta. Parandalimi i këtyre dukurive negative është obligim i organeve kompetente nacionale, natyrisht, në bashkëpunim të ngushtë me organet ndërkombëtare. Por, jo më pak e vogël është detyra e të gjitha institucioneve, organizatave joqeveritare dhe në instancë të fundit, e çdo një qytetari që individualisht të japë kontributin e vet të çmuar. Kuvendi, dhoma reprezentative e qytetarëve ka një dimension jashtëzakonisht të rëndësishëm në këtë kontekst, duke e marrë parasysh forumin e shumëllojshëm të përfaqësuesve politikë nga provenienca të ndryshme, me programe të ndryshme dhe baza dhe ideologji të ndryshme.  

Me fillimin e pandemisë, edhe ne, si edhe gjithë bota demokratike, u ballafaquam me pamundësinë e funksionimit normal të dhomës ligjvënëse. Domosdoshmëria e respektimit të protokolleve shëndetësore në njërën anë, urgjenca e nxjerrjes së ndryshimeve të Rregullores për punën e Kuvendit, situatat e mungimit të deputetëve për shkak të sëmurjes me KOVID-19, ndonjëherë impononin kushte të pamundshme të punës. Bëmë përpjekje të përshtatemi ndaj funksionimit onlajn të Kuvendit mirëpo, për fat të keq, nuk hasëm në mirëkuptim nga opozita.  Akoma te përfaqësues të caktuar politikë ka mendim se vetëm me prezencë fizike, në sallë plenare, do të mund vërtetë të arrihet te qytetarët, diçka me të cilën unë nuk pajtohem. Një pjesë e aktiviteteve të Kuvendit, si bashkëpunimi me organizatat joqeveritare, punëtoritë, pjesëmarrja në konferenca, zhvillohen onlajn pa asnjë pengesë. Në ndërkohë, deputetët dhe shërbimi u vaksinuan dhe e pranuan edhe dozën e dytë, kështu që, besoj se deri në fund të muajit maj do të jemi në përbërje të plotë dhe do të mund të normalizojmë punën e dhomës ligjvënëse. Mirëpo, dëshiroj të theksoj se, pa dallim të mënyrës, është obligimi ynë që çdoherë të jemi shembull për mbajtjen e një dialogu të argumentuar dhe kulturuar, paraqitjen e fakteve dhe të vërtetave të verifikuara për të cilat e dimë se ndikojnë mbi jetën e qytetarëve tanë dhe mbi perceptimin dhe besimin e tyre në institucionin. 

Të nderuar, më lejoni të shpreh mirënjohje ndaj mikpritësit tonë virtual, Bundestagut dhe Bundesratit gjerman për konferencën e organizuar me sukses, me besim të sinqertë se parlamentet do të vazhdojnë të luajnë rolin kyç në avancimin e shoqërive tona, në mbështetjen e bashkëpunimit rajonal dhe ballafaqimin më të lehtë me sfidat që i sjell ardhmëria për të hapur dhe lehtësuar rrugën për qytetarët tanë dhe për integrimin e tyre në familjen e Bashkimit Evropian. 

Ju faleminderit për vëmendjen!






 
a

Na ndiqni në:

Ueb faqja e Kuvendi përdor biskotat (cookies).

Biskotat (cookies) përdoren për të përmirësuar përvojën Tuaj të përdoruesit.