Udhëheqja parlamentare

E shtunë, 12 qershor 2021

Fjalimi i Kryetarit Xhaferi në Ceremoninë e promovimit të gjeneratës së shtatëmbëdhjetë të absolventëve të UEJL-it

E nderuar ministre e Arsimit dhe Shkencës, znj. Milla Carovska,
I nderuar ministër i Financave, z. Fatmir Besimi,
I nderuar rektor i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti,
I nderuar kryetar i Bordit të Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Klaus Tochterman, 
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar dekanë, profesorë ordinarë dhe inordinarë, 
Të nderuar studentë dhe prindër,
Të nderuar përfaqësues të mediumeve,
Zonja dhe zotëri,

Sot është një ditë e rëndësishme për Universitetin, për stafin akademik dhe mbi të gjitha, për studentët e gjeneratës së shtatëmbëdhjetë të absolventëve të Universitetit të Evropës Juglindore dhe prindërit krenarë dhe unë jam i nderuar që sot kam mundësinë që në emrin tim personal, në cilësinë e Kryetarit dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut t'ju përshëndes dhe t'ju përuroj për suksesin e arritur, për rrumbullakimin e ciklit të parë të arsimit tuaj të lartë, me dëshirë që dituria, njohuritë, shprehitë që i përfituat në këtë segment të rrugëtimit tuaj të jenë një themel, apo bazë e sigurt, solide dhe e fortë mbi të cilën do të vazhdoni të përsoseni, të zhvilloheni dhe specializoheni në jetën tuaj profesionale dhe zhvillimin në karrierë. 

Të dashur studentë,

E di që ky vit shkollor, si edhe ai paraprak, ka qenë dhe vazhdon të jetë i ndryshëm nga vitet shkollore tradicionale, me ligjërata dhe provime me prezencë fizike, me shoqërimin tuaj të ndërsjellë duke i praktikuar të gjitha ato rituale që janë pjesë e pandashme dhe në fakt karakteristikë dhe pjesa më e preferuar dhe mbresëlënëse e jetës studentore, por, nuk e përjetoni këtë vetëm ju. Kjo është sfidë mbarëbotërore, është krizë e cila i vu në gjunjë sistemet shëndetësore, shtyllat ekonomike të çdo vendi, sistemet arsimore dhe institucionale në përgjithësi dhe njëkohësisht, e vu në test edhe përgatitjen tonë fizike dhe psikike për tu përshtatur ndaj kushteve të reja, të imponuara por gjithsesi, të domosdoshme, për të dalë nga kjo gjendje pandemie sa më shpejtë dhe me pasoja sa më të vogla njerëzore dhe materiale.

Por ka një e vërtetë. Universiteti i Evropës Juglindore, me gjithë kapacitetin intelektual, shkencor, përparimtar dhe gjithsesi, material, pa dyshim është i përgatitur edhe për këtë gjendje të jashtëzakonshme dhe ju, studentë të dashur, jam i bindur se nuk keni humbur aspak nga ligjëratat cilësore, konsultimet e rregullta dhe qasjen e vazhdueshme te stafi akademik dhe te shërbimet studentore. Që do të thotë se, ju jeni të gatshëm, të pajisur me dituri dhe me gjithë atributet që i krahasojnë studentët e suksesshëm, të ballafaqoheni me jetën, me sfidat që i sjell jeta dhe gjerat e reja dhe të panjohura që do i hasni në jetën tuaj profesionale. Krahas kësaj, nëse etja Juaj për dituri të reja, më të avancuara bile edhe të pazbuluara akoma është e pranishme në ju, atëherë, Ju uroj të vazhdoni rrugëtimin tuaj të përsosjes akoma më të ngritur arsimore, të zgjerimit të horizonteve të paskajshme të diturisë dhe me këtë, të nderoni veten, prindërit tuaj, profesorët tuaj dhe të gjithë ne.

Pa dyshim se, përsosja Juaj, do të jetë vlerë e shtuar në cilësinë e jetës në vendin tonë, me kontributin e çmuar që ju të dashur studentë, profesorë, arkitektë, inxhinier të informatikës, jurist, ekonomistë, arsimtarë, pedagogë, pse jo, edhe politikologë, filologë e filozofë të ardhshëm, do e jepni me punën tuaj të përditshme në fushat e ndryshme të jetës shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. 

Unë Ju uroj rrugëtim të mbarë dhe të ndritur!

Ju falënderoj për vëmendjen!

Click