Megjunarodna sorabotka
 
Bashkëpunimi ndërkombëtar


E premte, 15 tetor 2012

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI NË KONFERENCËN NDËRKOMBËTARE DEDIKUAR 15 VJETORIT TË DIMENSIONIT PARLAMENTAR TË PBEJL

Të nderuar kolegë deputetë,
Të nderuar mysafirë,

Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe në emrin tim personal, Ju dëshiroj mirëseardhje, qëndrim të këndshëm dhe punë të suksesshme dhe të frytshme. Me të vërtetë është kënaqësi e madhe të jesh nikoqir dhe organizator i një ngjarjeje të rëndësishme, siç është shënimi i përvjetorit të Konferencës së parë në nivel të kryetarëve të parlamenteve të shteteve-anëtare të Procesit për bashkëpunim me Evropën Juglindore, e iniciuar nga Parlamenti i Republikës së Greqisë dhe e mbajtur po këtë datë para 15 vitesh në Athinë

Kryesimin tonë njëvjeçar me dimensionin parlamentar të Procesit për bashkëpunim në Evropën Juglindore e fillojmë me Konferencën e sotme ndërkombëtare dedikuar fillimeve, arritjeve, gjendjeve aktuale, sfidave dhe perspektivave të bashkëpunimit tonë ndërparlamentar. 

Padyshim se PBEJL është zhvilluar në një zë autentik në rajonin, në kontekst evropian është pranuar si forum adekuat dhe dinamik për dialog dhe bashkëpunim, në të cilin dimensioni parlamentar ka rol të rëndësishëm.

Të udhëhequr nga Memorandumi për mirëkuptim për bashkëpunim ndërparlamentar në Evropën Juglindore, i ratifikuar në vitin 2008 në Sofje, jemi të përgatitur dhe besojmë se kemi kapacitet për të vazhduar me të gjitha format e bashkëpunimit të cilat deri tani janë praktikuar, si:

  1. Mbledhjet e Grupit punues, i cili sipas Deklaratës finale nga Konferenca në Antali 2010, me iniciativë të Parlamentit të Republikës së Turqisë duhet t'i elaborojë dhe propozojë modalitetet për zhvillimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar rajonal, i cili shpie në themelimin e Asamblesë parlamentare. U mbajtën gjashtë mbledhje, por puna ende nuk ka përfunduar. Themelet janë vendosur dhe nëse ekziston vullnet i përbashkët jemi të përgatitur që gjatë kryesimit maqedonas t'i koordinojmë përpjekjet për krijimin e Asamblesë parlamentare, si një prej shtyllave të PBEJL. 
  2. Mbledhjet në bazë rajonale dhe subrajonale, lidhur me proceset evropiane dhe euroatlantike janë të pranishme që moti. Ato realizohen me përkrahje të konsiderueshme të Parlamentit Evropian dhe në bashkëpunim me Këshillin rajonal për bashkëpunim i cili ka për qëllim të kontribuojë në harmonizimin dhe lidhjen e legjislacionit nacional me legjislacionin evropian. Ne dëshirojmë të kontribuojmë në ruajtjen e vazhdës së këtyre formave të bashkëpunimit me Konferencën e komisioneve parlamentare për integrime dhe çështje evropiane të shteteve të përfshirë me procesin për stabilizim dhe asociim - KOSAP të Forumit parlamentar të Çetinës.  Planifikojmë që gjatë kryesimit tonë, të mbajmë mbledhje të KOSAP-it në Shkup duke e ruajtur përcaktimin e rregullores së këtij forumi për këmbim të rregullt (gjashtë mujor) të qëndrimeve për strategjinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të vendeve të procesit për stabilizim dhe asociim. 
  3. Përvojat e asambleve tjera parlamentare rajonale, konferencave dhe forumeve në këtë periudhë, janë veçanërisht të rëndësishme për ne dhe parashikojmë vendosjen e lidhjeve të reja dhe thellimin e lidhjeve ekzistuese me numër të caktuar partnerësh. Në këtë proces ne presim përkrahje të plotë nga Sekretariati rajonal për bashkëpunim parlamentar, i cili me Memorandum bashkëpunimi definohet si pikë qendrore për këtë lloj aktivitetesh. 
  4. Puna e parlamenteve, përfshirë edhe bashkëpunimin ndërkombëtar është e hapur për publikun, ndërsa bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe sektorin joqeveritar është konsekuencë natyrore e kësaj karakteristike. Prandaj, me rastin e Ditës së Evropës në bashkëpunim me lëvizjet evropiane dhe lëvizjet tjera me orientim evropian parashikojmë mbajtje të konferencës ndërkombëtare me temë me interes të përbashkët. 
  5. Kryesimin me dimensionin parlamentar të Procesit për bashkëpunim në Evropën Juglindore dëshirojmë ta finalizojmë me Konferencën e kryetarëve të parlamenteve, në maj të vitit 2013. Konferenca do të mbahet në Ohër, si margaritar natyror dhe kulturor-historik nën mbrojtjen e UNESKO-s dhe mund të jetë impuls plotësues i Konferencës së dhjetë, me vullnet të përbashkët që bashkëpunimin tonë ndërparlamentar ta transformojmë në formë të re dhe më të lartë të Asamblesë parlamentare të PBEJL. 

Thënia e fundit, ndoshta duket ambicioze duke pasur parasysh konfrontimet dhe armiqësitë nga një e kaluar jo aq e largët, si dhe mospajtimet e pranishme në marrëdhëniet e ndërsjella. Në vitin 1997, fuqinë që e kishim të gjithë për t'u ulur në një tryezë dhe ta thyejmë akullin e izolimit të ndërsjellë, u vlerësua si sukses i madh.  Gradualisht atmosfera përmirësohet dhe akulli i mosbesimit është duke u shkrirë deri në atë shkallë që askujt më mos t'i shkojë ndërmend për ta parashtruar pyetjen, Vallë mund të qëndrojmë ulur bashkë rreth një tryeze?. 

Sa për t'u përkujtuar, Procesi për bashkëpunim në EJL filloi me 6 shtete-anëtare, ndërsa sot ky numër është dyfishuar në 12 shtete. Rezervat e bashkëpunimit rajonal ishin në rënie graduale, dhe sundoi nevoja për ndërtimin e atmosferës së mirëkuptimit, mirëbesimit dhe bashkëpunimit të gjithanshëm. Në të vërtetë, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe ndërkombëtare fillojnë pikërisht nga kufijtë e shteteve tona.

Kjo është e mirënjohur për biznesmenët, artistët, sportistët, rininë dhe qytetarët dhe praktikohet çdo ditë. Duke u nisur nga ajo se investimet nga rajoni bëjnë pjesë në kategorinë e atyre më të rëndësishmeve, këmbimi është më i vëllimshëm, vizitat turistike janë më frekuentuese, këngëtarë të preferuar dhe seriale televizive, si dhe garat më të vizituara sportive janë ato që janë të lidhur me fqinjët nga rajoni. 

Ne si parlamentarë, si përfaqësues të vërtetë të qytetarëve, nuk mund dhe nuk guxojmë të mos jemi të një mendimi me "zërin e popujve tanë". Krahas gjithë asaj që e kemi si trashëgimi negative nga e kaluara, në emër të ardhmërisë, mund dhe duhet doemos ta tejkalojmë barrierën që na e bllokon zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal. Nga mentaliteti "ballkanik" duhet të kalojmë në atë "nordik" me forma më të zhvilluara të mirëkuptimit, përkrahjes dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, në drejtim të ngritjes së nivelit të marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Ide udhëheqëse dhe koncept iniciues në marrëdhëniet tona të ndërsjella duhet të jenë punët që na lidhin, e jo punët që na ndajnë.

Kuptohet se bëhet fjalë për një vizion, i cili fillimisht duhet të gjejë përkrahje dhe të ndiqet me angazhim të vazhdueshëm. Parlamentet tona janë kryesore për popullarizim të gjerë dhe për të kuptuarit e nevojës së tillë, të cilën rajonet tjera të Evropës që moti e kanë kuptuar, e të cilët nga kjo kanë dobi si në përforcimin e lidhjeve të ndërsjella, ashtu edhe në pozicionimin e interesave të tyre politike dhe ekonomike dhe nevojave të Evropës. Në atë kontekst, kemi për obligim t'i nxisim, përcjellim dhe mbikëqyrim hapat në drejtim të përforcimit dhe zhvillimit të bashkëpunimit rajonal.

Kryesimi maqedonas me PBEJL për periudhën 2012-2013 përcaktoi shtatëmbëdhjetë pika prioritare. Në to theksohet nevoja për sigurimin e kushteve për zhvillim të mëtutjeshëm social dhe ekonomik dhe përparim në drejtim të integrimeve evropiane dhe euroatlantike të rajonit në tërësi. Qasja pragmatike dhe implementimi i qëllimeve janë çelës për shndërrimin e qëllimeve deklarative në arritje reale, të qarta, ndërsa për këtë gjithsesi nevojitet përkrahje parlamentare në nivel nacional dhe rajonal.

Besojmë se dëshira për ndërtimin e aftësisë për pronësi rajonale dhe për marrjen e përgjegjësisë për lidhshmëri të ndërsjellë, meriton edhe më tutje të përkrahjet përmes projekteve të Bashkimit Evropian dhe Komunitetit ndërkombëtar, siç janë projektet përmes Këshillit Rajonal për bashkëpunim, IPA projektet dhe projekte tjera. Në të vërtetë, sot kriza ekonomike globale, me të cilën ballafaqohemi të gjithë dhe mosqëndrueshmëria e përforcuar prezente në rajonin tonë, kërkojnë që pa prolongime plotësuese, procesi i stabilizimit të shndërrohet në asociacion të plotë në strukturat e BE-së të shteteve të EJL. Bashkëpunimi rajonal nuk është dhe nuk mund të jetë substitut i integrimit në BE. Ajo që ndërmjet nesh ka shtete me shkallë të ndryshme të përfshirjes, nga anëtarë të plotfuqishëm, përmes kandidatëve, deri në aspirantë për anëtarësim, mund të shndërrohet në përparësi për përshpejtimin e proceseve eurointegruese.

Ajo që ndodhi dhe që ndodh në rajonin dhe në fqinjësi, me sa duket tregon se jemi pjesë e pandarë e stabilitetit evropian ekonomik-social dhe të sigurisë. Ne i nevojitemi Evropës dhe Evropa na nevojitet neve. Prospireteti i Evropës Juglindore është ngushtë i lidhur me realizimin e standardeve, vlerave dhe principeve evropiane. Ky është kohezion i cili i motivon dhe lidh shtetet, parlamentet, popujt dhe qytetarët tanë.  

Ju faleminderit për vëmendjen. 

 
a

Na ndiqni në: