E enjte, 31 mars 2011
TAKIMI I KRYETARIT VELJANOSKI ME NDIHMËSIN E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË NATO-S PËR MARRËDHËNIE POLITIKE DHE POLITIKË TË SIGURISË, Z. DIRK BRENGELMAN
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Z. Trajko Veljanoski e pranoi Z. Dirk Brengelman, ndihmës i Sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s për marrëdhënie politike dhe politikë të sigurisë.
Në takim, Kryetari Veljanoski theksoi se siguria e një shteti, rajoni, por edhe më gjerë, nuk mund të bazohet vetëm mbi armët, armatën dhe policinë, por para së gjithash në ndërtimin e gjendjeve stabile politike dhe ekonomike. Pikërisht në këtë drejtim është edhe puna e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, si në procesin e miratimit të ligjeve, ashtu edhe në realizimin e rolit mbikëqyrës të Parlamentit mbi pushtetin ekzekutiv. Fakti që Raporti për progresin e Republikës së Maqedonisë nga Komisioni Evropian jep vlerësim pozitiv edhe për Parlamentin edhe për shtetin, dhe që Raporti përmban rekomandim për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, tregon se jemi në rrugën e drejtë dhe se punojmë mirë në realizimin e agjendës euroatlantike.
Duke folur për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Kryetari i Kuvendit theksoi se implementimi i saj shkon mirë dhe se është shumë më e rëndësishme që ky implementim të kryhet në mënyrë kualitative, se sa vetëm të shohim nëse e kemi përmbushur kuotën e përfaqësimit të drejtë.
Në lidhje me gjendjen aktuale në shtet, Kryetari Veljanoski theksoi se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen më 5 qershor dhe shprehu besim se do të sigurohen të gjitha kushtet që procesi zgjedhor të zhvillohet në atmosferë të rregullt dhe demokratike.
Ndihmësi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Dirk Brengelman, theksoi se NATO në çdo moment është e përgatitur që bashkëpunimin me Republikën e Maqedonisë ta ngrit në nivel më të lartë, përkatësisht anëtarësim me të drejta të plota.
“Sinqerisht dëshiroj në mënyrë relativisht të shpejtë të zgjidhet kontesti me emrin, e me këtë të tejkalohet barriera e vetme për anëtarësimin tuaj në NATO. Edhe unë mendoj se kur flitet për implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ajo para së gjithash doemos ta ketë dimensionin kualitativ”, theksoi Z. Brengelman, duke shtuar se pas zgjedhjeve Republika e Maqedonisë shumë më intensivisht do të koncentrohet në realizimin e agjendës euroatlantike.