E premte, 25 mars 2011
INDONEZIA MUND TË JETË BAZË PËR HYRJEN E MAQEDONISË NË TREGUN AZIATIK
Në kornizat e ceremonisë sëë dorëzimit të letrave kredenciale, ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Indonezisë për Republikën e Maqedonisë, me seli në Budapest, SH.T. Marulli Tua Sagalla, e vizitoi edhe nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Z. Rafis Aliti.
Në shoqërim të ambasadorit ishin: bashkëshortja e tij, Znj. Elita Sagalla; Z. Dvi Vahju Vibovo, ministër këshilltar për Çështje Politike; Znj. Patricija L. Sillallahi, sekretare e dytë për Çështje Ekonomike dhe Znj. Ingrid Rosallina, sekretare e dytë e Protokollit dhe Çështjeve Konsullore.
Në takim, SH.T. Marulli Tua Sagalla e vlerësoi Indonezinë si vend demokratik, i cili është shembull për atë që demokracia dhe Islami mund të jetojnë së bashku. Motoja e këtij vendi është-unitet në dallime.
Nënkryetari Aliti, gjithashtu, e konsideron Indonezinë si model të vërtetë për marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare, model të bashkëjetesës dhe tolerancës në mes njerëzve, të cilin duhet ta ndjekin të gjitha vendet myslimane.
Njëkohësisht, u theksua se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Indonezisë dhe Maqedonisë duhet të përmirësohen, veçanërisht në sferën ekonomike. Në këtë pikëpamje, është i nevojshëm intensifikimi i kontakteve përmes takimeve të deputetëve dhe biznesmenëve nga të dy vendet.
Të dyja anët u pajtuan se Indonezia do të mund të jetë bazë për hyrjen e Maqedonisë në tregun aziatik, por gjithashtu edhe Maqedonia do të mund të ketë rol të këtillë për Indonezinë në lidhje me tregun e vendeve të Ballkanit Perëndimor.