E mërkurë, 23 mars 2011
MAQEDONIA MUND TË LLOGARIS NË MBËSHTETJEN E HUNGARISË
Për Republikën e Maqedonisë është shumë e rëndësishme që e ka mbështetjen e vendeve miqësore, siç është Hungaria, e cila e respekton emrin tonë kushtetues, si dhe atë që në agjendën e kryesimit të tyre aktual me Bashkimin Evropian e kanë zgjerimin e Unionit dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Kjo u theksua në takimin e sotshëm të kryetarit të Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Z. Petar Pop-Arsov dhe anëtarëve: Znj. Vlladanka Aviroviq, Znj. Hristina Runçeva, Z. Mile Paçemski dhe Z. Pançe Dameski, me Delegacionin e kryesimit të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Hungarisë.
Në përbërje të delegacionit hungarez ishin: kryetari i Komisionit, Z. Mihaj Balla, nënkryetari i Komisionit, Z. Marton Gjongjoshi, deputeti Z. Atilla Gruber, dhe këshilltarja Znj. Noemi Koranji. Në shoqërim të Delegacionit ishte ambasadori i Republikës së Hungarisë në Republikën e Maqedonisë, SH.T. Ferenc Kekeshi, si dhe zëvendësshefi i Misionit në Ambasadë, Z. Atilla Pinter.
Në fillim të takimit, Z. Pop-Arsov e vlerësoi vizitën si kontinuitet i mbështetjes të cilën Hungaria ia jep Maqedonisë në procesin eurointegrues dhe i njoftoi mysafirët me kompetencat e Komisionit për Çështje Evropiane dhe përkushtimin për eurointegrimet, për të cilat ekziston mbështetje e fortë partiake dhe qytetare në vendin tonë.
Ai theksoi se Maqedonia është e interesuar të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe maksimalisht punon në këtë sferë, duke u fokusuar në dy pika: implementimin e procesit reformues dhe gjetjen e zgjidhjes së pranueshme reciproke në kontestin për emrin me Greqinë.
Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme i Parlamentit të Republikës së Hungarisë, Z. Mihaj Balla, informoi se vizita është drejtpërdrejtë e lidhur me kryesimin e tyre me BE-në dhe se nga konkluzionet e Komisionit Evropian shihet se Maqedonia ka bërë shumë përpjeke në rrugën eurointegruese, por për fat të keq si pengesë mbetet kontesti me emrin.
Ai potencoi se data e fillimit të negociatave është çështje shumë e rëndësishme, por kjo është vetëm fillimi i negociatave të gjata. Me këtë rast, Z. Balla ceku se Maqedonia mund të llogaris në mbështetjen e Hungarisë, sepse konsideron se është e rëndësishme të bëhemi vend-anëtar i BE-së.
Në fund, ana maqedonase shprehu falënderim që në kohën e kryesimit me Bashkimin Evropian, Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit të Republikës së Hungarisë, edhe krahas agjendës së ngjeshur, ndau kohë që të jetë mysafir i Parlamentit të Maqedonisë.