E martë, 5 shkurt 2013, Njujork
TAKIMI I KRYETARIT VELJANOSKI NË NJUJORK ME KRYETARIN E ASAMBLESË SË PËRGJITHSHME TË KOMBEVE TË BASHKUARA, Z. VUK JEREMIQ


Pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z.Ban Ki-Mun, sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z.Trajko Veljanoski, realizoi takim me kryetarin e Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të bashkuara, z.Vuk Jeremiq.
Në takimin e përzemërt u diskutua për më shumë çështje, me ç'rast theksi u vendos mbi avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe krijimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Në këtë drejtim, kryetari Veljanoski theksoi interesin e veçantë dhe kontributin e vazhdueshëm të Republikës së Maqedonisë në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Në këtë kontekst, ai potencoi përpjekjet e Republikës së Maqedonisë, në kuadër të kryesimit tonë me Procesin e bashkëpunimit të vendeve nga Evropa Juglindore, për zhvillimin dhe ngritjen e marrëdhënieve rajonale në nivel të lartë, veçanërisht në pjesën e bashkëpunimit dhe lidhjes parlamentare.
Të dy palët ranë dakord për përfundimin e aktiviteteve për formimin e Asamblesë parlamentare në kuadër Procesit të bashkëpunimit me vendet e Evropës Juglindore. Në këtë aspekt, zhvillimi i kapaciteteve parlamentare në rajon është çast i rëndësishëm zhvillimor.
Lidhur me çështjet rajonale, u afirmua nevoja për integrimin sa më të shpejtë të të gjithë vendeve ballkanike në Bashkimin Evropian, si perspektivë e përbashkët e cila do t'i sigurojë rajonit stabilitet dhe prosperitet të përhershëm.
Në pjesën e integrimit euroatlantik të Republikës së Maqedonisë, kryetari Veljanoski e informoi më hollësisht bashkëfolësin për aktivitetet reformuese për të cilat është filluar procedura për realizimin e tyre në të gjitha segmentet e integrimit.
Në vazhdim të takimit, kryetari Veljanoski informoi për aktivitetet e Kuvendit, gjegjësisht për ratifikimet e konventave të Kombeve të Bashkuara, si dhe për agjendën legjislative lidhur edhe me harmonizimin e legjislacionit vendor me atë evropian si dhe me proceset tjera reformuese dhe masat për ballafaqim me pasojat nga kriza ekonomike globale.
Të dy palët ranë dakord se zgjidhja e çështjeve ekonomike dhe sjellja e investimeve të rëndësishme të huaja në rajon, është prioritet i rëndësishëm për perspektivat e vendit.
Me përfundimin e takimit me z.Jeremiq, përfundojnë aktivitetet e kryetarit të Kuvendit në Njujork në Kombet e Bashkuara dhe nga dita e nesërme aktivitetet vazhdojnë në Uashington, ku në orët e pasdites do të takohet me kongresistin z. Dejvid Prajs, kryetar i Komisionit për Përkrahjen e Demokracisë së Kongresit të SHAB-së, me të cilin Kuvendi i Republikës së Maqedonisë realizon bashkëpunim disavjeçar.
Pas takimit me z.Prajs, kryetari Veljanoski do të takohet me njeriun e parë të Komisionit ndikues të Kongresit për Politikë të Jashtme, z.Ed Rojs.