Këshillat



E martë, 25 qershor 2013

MBLEDHJA E PESËMBËDHJETË E KËSHILLIT NACIONAL PËR EUROINTEGRIME

Këshilli Nacional për Eurointegrime më 24 qershor 2013 mbajti mbledhje në të cilën u shqyrtua Informata për aktivitetet e realizuara nga Programi Nacional për miratimin e të drejtës së Bashkimit Evropian - revizioni 2013, për periudhën nga 01.01.2013 - 31.03.2013. 

Në mbledhjen si përfaqësues i Delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë ishte e pranishme znj.Marina Kurte, këshilltare për integrim evropian dhe çështje juridike.

Para anëtarëve dhe përfaqësuesve të Këshillit Nacional për Eurointegrime, dr.Fatmir Besimi zëvendëskryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë i ngarkuar për çështje evropiane e prezantoi Informatën për aktivitetet e realizuara NPAA-revizioni 2013 e cila ka të bëjë me tremujorin e parë të këtij viti. 

Zëvendëskryeministri Besimi theksoi se është veçanërisht e rëndësishme që tema për eurointegrimet të vazhdojë të jetë në fokusin e interesit te institucionet dhe në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, e cila do të jetë mesazh i mirë për përkushtimin e shtetit për anëtarësim në BE.

Lidhur me kriteret politike, zëvendëskryeministri Besimi potencoi rëndësinë e Dialogut aderues të nivelit të lartë si dhe zgjedhjet e realizuara lokale, me ç'rast informoi se menjëherë pas zgjedhjeve është mbajtur mbledhje e Komitetit Drejtues të Nivelit të Lartë me qëllim që të vazhdojnë me punë grupet punuese për legjislacionin dhe listën e zgjedhësve, si dhe për implementimin e mëtutjeshëm të rekomandimeve nga raporti i OSBE-së për zgjedhjet e mbajtura lokale.

Përmbushja e obligimeve nga Udhërrëfyesi, përkatësisht Plani aksionar për përmbushjen e prioriteteve të definuara në Dialogun aderues të nivelit të lartë janë faktikisht prioritete që dalin nga NPAA-ja. Në lidhje me procesin e decentralizimit u miratua program për zhvillimin e barabartë rajonal për vitin 2013. Në pjesën e reformës së administratës publike tashmë përgatitet ligj për administratën në pajtim me vërejtjet e SIGMA-s, me qëllim përmirësimin e cilësisë në administratën publike.  Gjithashtu, z. Besimi informoi se në përgatitje e sipër është edhe ligji për procedurë të përgjithshme administrative. Në lidhje me jurisprudencën, përgatitet kornizë për zhvillimin e mëtutjeshëm të kësaj sfere për periudhën 2014-2017. Në vitin 2012 përfundoi aplikimi softuerik për zbatimin e metodologjisë për statistikë gjyqësore, që duhet të vihet në funksion, në pajtim me prioritetet e definuara në DANL. Nga 1 janar 2013 në pajtim me dispozitat ligjore, gjykatësit e rinj janë angazhuar nga radha e kandidatëve që kanë diplomuar në Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publikë.
Në pjesën e politikës së antikorrupsionit, zëvendëskryeministri Besimi potencoi se vazhdon përcaktimi i lëndëve për konflikt të interesave. Enti shtetëror për revizion parasheh më shumë masa sesi partitë politike duhet t'i përmbushin kushtet në pajtim me Ligjin për financimin e partive politike. 

Në pjesën e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së minoriteteve, si dhe në pjesën e lirisë së të shprehurit dhe mediave, z.Besimi informoi se vazhdojnë trajnimet e vazhdueshme për zbatimin e nenit 10 të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, në lidhje me dekriminalizimin e shpifjes dhe ofendimit, me qëllim vendosjen e praktikës gjyqësore efikase.
Me qëllim përmirësimin e përfaqësimit të drejtë të komuniteteve më të vogla, z.  Besimi informoi se në janar të këtij viti u shpall konkurs për 260 nëpunës shtetëror sipas programit K5.

Pasqyra e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit u publikua dhe në zhvillim e sipër janë debatet për politika të ardhme cilësore për implementimin e saj.

Lidhur me çështjet rajonale dhe obligimet ndërkombëtare u realizuan më shumë aktivitete për promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Lidhur me kriteret ekonomike, u bënë ndryshime të Ligjit për banka, të Vendimit për administrim me rrezikun e kredisë, ndryshime të Ligjit për letra me vlerë dhe te ligje tjera, me qëllim përmirësimin e konkurrencës.
Si prioritete që dalin edhe nga DANL, mbeten sfidat për implementimin e marrëveshjes politike, memorandumi ndërpartiak për integrimin evropian, reforma në sferën e lirisë së të shprehurit dhe ligji për mediet, dialogu me mediet dhe asociacionet adekuate të gazetarëve, si dhe çështjet që dalin nga konkluzionet e dhjetorit për marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe çështja e emrit. 

Në debatin e mbledhjes, me diskutime, sugjerime dhe rekomandime të tyre morën pjesë: znj.Radmilla Sheqerinska kryetare e Këshillit, znj.Sillvana Boneva nënkryetare e Këshillit, znj.Suzana Saliu deputete dhe anëtare e Këshillit, z.Ilija Dimovski, deputet dhe anëtar i Këshillit, z.Kenan Hasipi deputet dhe anëtar i Këshillit, z.Safet Bishevac deputet dhe zëvendësanëtar i Këshillit, z.Antoni Peshev përfaqësues i Odës Ekonomike të Maqedonisë dhe z.Zhivko Mitrevski nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Këshilli Nacional për Eurointegrime në mbledhjen e njëjtë me konsensus miratoi konkluzione nga debatet e organizuara publike për versionin e punës të Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përcjellje të komunikimeve, Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për punë të brendshme, Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për polici dhe Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligji për azil dhe mbrojtje të përkohshme.

Raporti për punën e Këshillit Nacional për Eurointegrime për vitin 2012, do të shqyrtohet në vazhdimin e mbledhjes së 15-të të Këshillit, e cila do të caktohet në mënyrë plotësuese. 

Click