E premte, 16 tetor 2009
NËNKRYETARJA E KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË, Z-NJ. SVETLANA JAKIMOVSKA REALIZOI TAKIM ME DELEGACIONIN ZGJEDHOR TË GJERMANISË
Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z-nj. Svetllana Jakimovska, sot u takua me Delegacionin zgjedhor të Gjermanisë, të udhëhequr nga deputeti i Bundestagut gjerman, z. Helmut Lamp me rastin e ndarjes së Bursës parlamentare ndërkombëtare për vitin 2010.
Në takim nënkryetarja konstatoi se marrëdhëniet bilaterale të të dyja vendeve i karakterizon miqësia, dhe niveli i lartë i mirëkuptimit ndërkombëtar, me ç’rast veçanërisht e theksoi rolin e Gjermanisë në NATO dhe në strukturat e UE-së, ku është njëri nga përkrahësit kryesor të Republikës së Maqedonisë për integrimin e saj në NATO dhe UE.
Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z-nj. Svetlana Jakimovska, gjithashtu shprehu falënderim në lidhje me projektin IPP, i cili mundëson që të rinjtë e Republikës së Maqedonisë të njoftohen me jetën parlamentare, politike, akademike dhe kulturore të Gjermanisë, dhe këtë njohuri ta bartin këtu.
Në të vërtetë, Bursa parlamentare ndërkombëtare është aktivitet tradicional i Bundestagut gjerman, përkatësisht projekt i Parlamentit gjerman, i cili së bashku me Universitetin teknik, Universitetin e lirë dhe Universitetin Humbolt të Berlinit, u jep mundësi të rinjve të angazhuar në politikë me arsim të kryer universitar nga vendet e Evropës Juglindore, që të njoftohen me sistemin parlamentar të Gjermanisë.
Deputeti i Bundestagut gjerman, Z.Helmut Lamp theksoi se Bundestagu angazhohet fuqishëm për këtë program dhe se në vitin 2010, 120 deputetë do të pranojnë bursistë. Njëkohësisht deklaroi se aplikuesit nga Republika e Maqedonisë, vijnë të përgatitur në Bundestag.