Aktivitetet



E hënë, 5 dhjetor 2011

MBLEDHJA E DYMBËDHJETË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në Mbledhjen e dymbëdhjetë të mbajtur më 14, 15, 16, 21, 24, 28, 29, 30 nëntor, 1, 2 dhe 3 dhjetor 2011, si trup punues amë shqyrtoi

  • Propozim-Buxhetin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2012; 
  • Propozim-ligjin për realizimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2012  (me procedurë të shkurtuar);      
  • Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për buxhetet (me procedurë të shkurtuar).

- Arsyetim hyrës për Propozim-Buxhetin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2012, dha ministri i Financave, z. Zoran Stavreski, i cili theksoi se Buxheti për vitin 2012 është planifikuar në bazë të gjendjeve në ekonominë maqedonase dhe evropiane dhe i njëjti është në funksion të mbajtjes së shkallëve pozitive të rritjes ekonomike, përmirësimit të infrastrukturës ekonomike dhe mbajtjes së shkallës së lartë të stabilitetit social. 

Buxheti për vitin 2012 është projektuar në bazë të rritjes së pritur të ekonomisë prej 4.5%. 

Politika fiskale për vitin 2012 është orientuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe përkrahjen e ekonomisë maqedonase, nëpërmjet përmirësimit të kualitetit të financave publike me vëllim të zmadhuar të investimeve kapitale. 

Inflacioni u projektua në nivel prej 2.5% që do të thotë se pritet rritje mesatarisht të ulët të çmimeve. Kursi devizor i denarit do të jetë i qëndrueshëm, ndërsa rezervat devizore do të mbeten në nivel solid i cili do të sigurojë qëndrueshmëri të kursit devizor të denarit. 

Në Buxhetin për vitin 2012 planifikohet mbajtja e deficitit të ulët dhe të kontrolluar prej 2.5% nga PBV-ja e planifikuar, që është nën kriterin e mastritit (3% nga PBV-ja), në pajtim me aktin për rritje dhe stabilitet të BE-së.  

Niveli i ulët i deficitit buxhetor në afat të shkurtër do të mundësojë aktivizimin e stabilizatorëve automatikë të ekonomisë dhe Buxheti do të ndikojë në mënyrë anticiklike, përkatësisht në funksion të përkrahjes të aktivitetit ekonomik në kushte të krizës dhe recesionit potencial në ekonominë maqedonase. 

Njëkohësisht, në afat të mesëm, niveli mesatar i deficitit buxhetor nuk do t'i rrezikojë qëllimet themelore të strategjisë fiskale dhe të Strategjisë për menaxhim me borxhin publik. 

Republika e Maqedonisë do të mbetet vend me borxh më të ulët shtetëror i cili për momentin është 26% nga PBV-ja. 

Rreziqet kryesore për qëndrueshmërinë fiskale në vitin 2012 dalin nga gjendja në ekonominë evropiane. Kriza ekonomike dhe financiare në vitin 2011 u shndërrua në krizë debitore në Greqi dhe Itali dhe ekziston mundësia që e njëjta të përhapet edhe në vendet tjera në Evropë. Gjendja në ekonominë evropiane është serioze dhe ndikon në politikat makroekonomike në shtet. Nga ato shkaqe Buxheti i Republikës së Maqedonisë për vitin 2012 përmban elemente të fleksibilitetit me qëllim që të mund të adaptohet në rreziqet dhe gjendjet e sapokrijuara nëse është e nevojshme.  Amortizator kryesor në këtë drejtim është niveli i planifikuar i të hyrave buxhetore. 

Gjegjësisht, edhe përveç pritjeve për rritjen e mundshme ekonomike për 4.5% dhe inflacion prej 2.5% ose gjithsej 7% rritje nominale të ekonomisë, të hyrat janë projektuar në mënyrë më konservative, përkatësisht është planifikuar rritje për 5.7%, dhe në përputhje me këtë janë projektuar edhe shpenzimet. Kjo do të mundësojë që ekonomia maqedonase në mënyrë përkatëse t'u përgjigjet rreziqeve eventuale nga thellimi i krizës ekonomike.

Të hyrat e përgjithshme të buxhetit të konsoliduar për vitin 2012 planifikohen në nivel prej 32.1% prej PBV-së, ndërsa shpenzimet e përgjithshme buxhetore në nivel prej 34.6% prej PBV-së. Të hyrat tatimore pritet që të zmadhohen për 7.9% me pjesëmarrje dominuese të të hyrave në bazë të TVSH-së, që korrespondon me stabilizimin e pritur të shpenzimit dhe rritjes së eksportit dhe importit. Tatimet tjera janë planifikuar në nivel të pandryshueshëm në pajtim me politikat për shkallë të ulëta të kontributeve sociale, përkatësisht shkallë të tatimit personal mbi të ardhurat prej 10% dhe lirim nga obligimi për pagesën e tatimit mbi fitimin nëse i njëjti riinvestohet ose mbahet për investime të mëtutjeshme.

Ana shpenzuese e Buxhetit për vitin 2012 është planifikuar në funksion të mbajtjes së sigurimit dhe stabilitetit social. Në vitin 2012 vazhdon realizimi i shpenzimit buxhetor të disiplinuar në drejtim të kontrollit restriktiv dhe rigoroz të shpenzimeve joproduktive, për rritjen e investimeve në projektet kapitale.  

Në kuadër të shpenzimeve të përgjithshme, është përmirësuar në masë të konsiderueshme struktura dhe cilësia e shpenzimeve me pjesëmarrje të madhe të shpenzimeve kapitale dhe atë nga 13.1% në vitin 2011 në 16% në vitin 2012, për shpenzimet rrjedhëse, pjesëmarrja e të cilave zvogëlohet. 

Shpenzimet për pagesën e rrogave u planifikuan në nivel të njëjtë dhe të njëjtat janë në pajtim me vazhdimin e politikave për pezullimin e punësimeve të reja, përveç punësimeve në pajtim me Marrëveshjen kornizë të Ohrit. 

Duke filluar nga muaji dhjetor 2012 do të fillojë realizimi i rritjes graduale të rrogave në sektorin publik për 5%. 

Në kuadër të tranferteve sociale, u parapanë mjete për pagesë të rregullt dhe në kohë të pensioneve, kompensimeve për persona të papunësuar, shërbimeve shëndetësore si dhe pagesë të kompensimeve sociale. 

Mjetet e përgjithshme për këto dedikime në vitin 2012 u planifikuan në nivel më të lartë për 1.2% në raport me vitin 2011, me ç'rast u siguruan mjete për pagesë të rregullt dhe në kohë të pensioneve në shumë prej 37 miliardë denarë për gjithsej 287.200 shfrytëzues të pensioneve, si dhe transfert te fondet pensionale private në shumë prej 3 miliardë denarë. 

Njëkohësisht, u siguruan edhe mjete për mbulimin e rregullt dhe në kohë të të drejtave ligjore të shfrytëzuesve të mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve, si dhe mjete për funksionimin e qendrave ekzistuese ditore dhe kuzhinave popullore, si dhe mjete për subvencionimin e shpenzimeve për ngrohje të kategorive më të rrezikuara të qytetarëve. 

Sa u përket ndarjeve të mjeteve sipas shfrytëzuesve buxhetorë, rritje më të madhe ka në Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe Agjencinë për Rrugët e Shtetit.

Shpenzimet për subvencione dhe transferte përfshijnë shumë të zmadhuar të subvencioneve në bujqësinë për 15 milion euro, përkatësisht në shumën e përgjithshme prej 130 milion euro. Vëllimi i zmadhuar i subvencioneve, si dhe mjetet nga IPARD programi do të sigurojnë përforcim dhe përkrahje të mëtutjeshme të këtij sektori dhe integrimin e tij të suksesshëm në BE. 

Shpenzimet kapitale janë paraparë në shumë prej 26 miliardë denarë, përkatësisht në nivel më të lartë prej 29% në raport me vitin 2011, me qëllim të realizimit dhe mbajtjes së shkallëve të planifikuara pozitive të rritjes. 

Në këto suaza janë paraparë investime të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën energjetike dhe komunale, si dhe investime kapitale për përmirësimin e kushteve në sistemin arsimor, social dhe shëndetësor, bujqësinë përmirësimin e kushteve të mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe përmirësimin e kushteve në jurisprudencën.  

Gjatë vitit 2012 në sferën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore janë paraparë investime kapitale në shumë prej rreth 7.5 miliardë denarë dhe të njëjtat janë planifikuar në nivel më të lartë prej 42% në raport me vitin 2011. 

Në këto suaza u përfshinë mjete për realizimin e Projektit për ndërtimin e autostradës së Korridorit 10, në segmentin rrugor Demir Kapija - Smokvicë, me të cilin parashihet ndërtimi i segmentit të ri modern i autostradës, me çka do të kompletohet aksi kryesor i Korridorit 10. Për financimin e këtij projekti është paraparë shfrytëzimi i mjeteve personale, ngarkimi me kredi dhe shfrytëzimi i mjeteve nga IPA fondet. 

Projekti për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve magjistrale, rajonale dhe lokale do të financohet nga mjetet personale dhe linjat kreditore nga Banka botërore dhe EBRD.

Në sferën e komunikacionit hekurudhor, planifikohet të fillohet Projekti për ndërtimin plotësues të Korridorit 8 hekurudhor, i cili ka për qëllim ta lidhë Detin e Zi me Detin Adriatik, prej nga del edhe strategjia dhe rëndësia e madhe ekonomike e këtij projekti.  

Në sferën e energjetikës dhe infrastrukturës komunale, u planifikuan investime kapitale në shumë prej 2 miliardë denarë. Është paraparë instalimi i sistemit gazpërçues, financimi i ndërtimit të sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimit në më shumë komuna me mjete nga burimet personale dhe tërheqja e linjave kreditore nga BIE dhe nga KFB banka. 

Për rregullimin e zonave zhvillimore industriale teknologjike, në Buxhetin për vitin 2012 janë planifikuar mjete në shumë prej 518 milion denarë, të cilat do të sigurojnë ndërtimin e objekteve infrastrukturore dhe punët hulumtuese gjeomekanike në zonat. 

Në sferën e sektorit shëndetësor janë planifikuar investime prej rreth 2.5 miliardë denarë të cilat kanë të bëjnë me projektin për ndërtimin dhe rikonstruktimin e institucioneve shëndetësore publike të financuar nga mjetet buxhetore dhe mjetet nga Banka për zhvillim të Këshillit të Evropës në funksion të përmirësimit të kushteve në institucionet shëndetësore, ndërtimin e ambulantëve në zonat rurale, furnizimin e pajisjes mjekësore dhe autoambulancave, si dhe implementimin e sistemit të integruar shëndetësor. 

Në sferën e arsimit, mbrojtjes së fëmijëve dhe sportit, investimet kapitale janë planifikuar në nivel prej rreth 2.4 miliardë denarë të dedikuara për ndërtimin dhe rikonstruktimin e shkollave fillore dhe të mesme, ndërtimin e sallave shkollore dhe sportive, rikonstruktimin e konvikteve studentore dhe pajimin dhe rikonstruktimin e universiteteve, furnizimin e pajisjes moderne laboratorike si dhe janë planifikuar investime në infrastrukturën sportive. 

Me qëllim të përforcimit të sektorit të bujqësisë, u planifikua vëllimi i zmadhuar i investimeve kapitale në shumë prej 1.3 miliardë denarë për ndërtimin e hidrosistemeve dhe investimeve për përmirësimin e konkurrencës dhe modernizimit të ekonomive bujqësore, ristrukturimin dhe mbindërtimin me qëllim të përmbushjes së standardeve të BE-së. 

Mjetet financiare për deficitin e projektuar prej 2.5% dhe pagesa e borxheve ndaj vendeve të huaja do të sigurohen kryesisht nga burimet e huaja, nëpërmjet shfrytëzimit të kredive nga institucionet ndërkombëtare ose nëpërmjet emetimit eventual të euroobligacionit, si dhe nga burimet e vendit. 

Për Propozim-Buxhetin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2012 në komisionin u parashtruan gjithsej 415 amendamente, prej të cilave u miratuan 3 amendamente.

Komisioni me 8 vota "për" dhe 4 vota "kundër", konkludoi se në pajtim me nenin 180 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë nevojitet që Qeveria të përpilojë Propozim-plotësues të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2012, që paraqet tekst të ri integral në të cilin do t'i inkorporojë amendamentet që i miratoi Komisioni.

- Lidhur me Propozim-ligjin për realizimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2012, u shqyrtuan gjithsej 22 amendamente, prej të cilave u miratua 1 amendament, ndërsa 21 amendamentet e tjera u tërhoqën nga propozuesi i autorizuar, z. Izet Zeqiri. 

Me tetë vota "për" dhe tre vota "kundër" komisioni konkludoi se në pajtim me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, nuk janë plotësuar kushtet për përpilimin e Propozim-plotësimit të Ligjit dhe i propozon Kuvendit të Republikës së Maqedonisë që ta shqyrtojë dhe miratojë Ligjin për realizimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2012.

- Lidhur me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për buxhetet, Komisioni me shtatë vota "për" dhe tre vota "kundër" konkludoi se në pajtim me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, nuk janë plotësuar kushtet për përpilimin e Propozim-plotësimit të Ligjit dhe i propozon Kuvendit të Republikës së Maqedonisë ta shqyrtojë dhe miratojë Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për buxhete. 

Click