Aktivitetet



E martë, 26 nëntor 2013

VENDET E VISHEGRADIT - SHEMBULL I BASHKËPUNIMIT DHE NDIHMËS NDAJ FQINJËVE

Koordinatorët e Grupeve parlamentare të VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së, përkatësisht, znj. Sillvana Boneva, z. Igor Ivanovski, z. Nexhati Jakupi dhe z. Imer Aliu, u takuan me Delegacionin e drejtorëve politikë të vendeve të Vishegradit, i shoqëruar nga drejtoresha ekzekutive e Fondit të Vishegradit, znj. Karlla Vusterova.

Të gjithë koordinatorët shprehën falënderim për vizitën dhe përkrahjen që e merr Republika e Maqedonisë në rrugën e eurointegrimeve nga ana vendeve të Vishegradit, përkatësisht nga Hungaria, Çekia, Polonia dhe Sllovakia, Grup i cili është shembulli mirë i bashkëpunimit dhe ndihmës ndaj fqinjëve.

Drejtorët politikë theksuan se qëllimi i vizitës së tyre është të ndihmojnë në integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO, të njoftohen me situatën e grupeve etnike në vend, kontestin e emrit, si dhe me marrëdhëniet me vendet fqinje. 

Ata u njoftuan me problemin me të cilin ballafaqohet vendi ynë me kontestin e emrit, si pasojë e të cilit është bllokuar anëtarësimi në BE dhe NATO, dhe ky bllokim është në dëm të politikës dhe ekonomisë së vendit. 

Koordinatorët i theksuan qëndrimet e tyre edhe për Marrëveshjen kornizë të Ohrit, marrëdhëniet ndëretnike, për të drejtat e Shqiptarëve, për gjendjen në legjislacionin, administratën dhe lirinë e mediave. 

U kërkua, që në kuadër të mundësive, Grupi i Vishegradit të ushtrojë presion që të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe paralelisht të rrjedhë procesi i negociatave për anëtarësim dhe gjetje të zgjidhjes së përbashkët të emrit, që nuk do ta prek as identitetin, as gjuhën dhe traditën e popullit maqedonas.

Mysafirët theksuan se dëshirojnë ta shohin Maqedoninë në BE dhe NATO, por pa marrë parasysh se a do ta zgjidhim problemin me emrin në afat të shkurtër, duhet të fokusohemi edhe në çështje tjera dhe se duhet fillimisht të ekzistojë pajtim i brendshëm, njëkohësisht duke theksuar se edhe ato kanë filluar si vende konkurrente, por më vonë kanë kaluar në vende bashkëpunuese.

Drejtorët politikë të Vishegradit nënvizuan se janë të hapur për bashkëpunim, ndarje të përvojave, dhe shprehën kënaqësi se, megjithëse ka qëndrime të ndryshme ndërmjet koordinatorëve partiakë për çështje të njëjta, kur bëhet fjalë për anëtarësim në BE dhe NATO të gjithë janë të njëzëshëm.

Click