Aktivitetet

E enjte, 15 shtator 2016, Strasburg 

Fjalimi i kryetarit Veljanoski në Konferencën Evropiane të Kryetarëve të Parlamenteve me temë: "Migracionet dhe kriza e refugjatëve në Evropë - roli dhe përgjegjësitë e parlamenteve"

I nderuar kryesues, 
Kolegë të nderuar, 
Zonja dhe zotërinj, 
Shkëlqesi, 

Migracioni si dukuri nga aspekti civilizues nuk është diçka e re për botën dhe për Evropën, megjithatë kriza aktuale e emigrantëve dhe e refugjatëve paraqet një fenomen të pavërejtur në historinë e re botërore. Ajo që sot ndodh paraqet një problem global. Vetëm të përkujtoj se edhe në Samitin G-20 të sapopërfunduar, kriza e refugjatëve me të cilën ballafaqohemi është përkufizuar si problem global i cili kërkon qasje dhe zgjidhje përkatëse. Detyra themelore e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe e çdo shteti është se si t'u ndihmohet njerëzve të pafat, e në të njëjtën kohë të sigurohet paqja në shtetet dhe rajonet prej ku vijnë. E drejta ndërkombëtare, para se gjithash, mendoj në dokumentet themelore të KB-së, pastaj Konventën e KB-së nga viti 1951, si dhe një varg dokumentesh dhe rezolutat e Samitit të Evropës, shumë qartë i caktojnë obligimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe të secilit shtet në mbrojtjen e këtyre njerëzve. Por, në të njëjtën kohë kjo krizë e refugjatëve për shtetet nëpër të cilat refugjatët transitojnë, e posaçërisht për shtetet që janë destinacioni i tyre i fundit shkakton një numër të madh të çështjeve dhe dilemave të karakterit ekonomik, kulturor, demografik dhe të sigurisë. 

Zonja dhe zotërinj, 

Shteti im, Republika e Maqedonisë, me të vërtetë nuk është qëllimi i fundit i këtyre valëve të refugjatëve, por për këtë arsye është pjesë e rutës së Ballkanit Perëndimor nëpër të cilën kalojnë refugjatët, e cila fillon nga Turqia, pastaj Greqia, kalon nëpër Maqedoni, Serbi dhe përmes Hungarisë vjen te Bashkimi Evropian. Sipas të dhënave të institucioneve tona kompetente në 16 muajt e fundit nëpër Maqedoni kanë transituar më tepër se 900 mijë refugjatë. Tërë kjo për Republikën e Maqedonisë që ka 2 milionë banorë dhe resurse të kufizuara materiale dhe njerëzore është me të vërtetë një sfidë e madhe nga të gjitha aspektet.

Së pari, se si të sigurohen minimum kushte të dinjitetshme që këta njerëz ta kalojnë Maqedoninë, përkatësisht prej kufirit jugor me Greqinë fqinje dhe deri në kufirin verior me Serbinë fqinje. Pasi në fillim të kësaj krize të emigrantëve dhe të refugjatëve, legjislacioni ynë nuk lejoi kalim të lirë nëpër territorin e shtetit, që ishte rast këta njerëz të jenë viktima të bandave të organizuara kriminele, si Parlament me procedurë urgjente e ndryshuam Ligjin për azil, me çka mundësuam përmes regjistrimit aktiv, secili refugjatë të marrë status përkatës që të mund në mënyrë ligjore, duke i shfrytëzuar mjetet e transportit publik që ta kalojë shtetin. 

Më tutje, me ndihmën e institucioneve kompetente, para se gjithash, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Kryqit të Kuq, por edhe me një angazhim të madh të sektorit joqeveritar dhe solidaritetit personal të qytetarëve tanë janë grumbulluar shumë mjete për higjienën personale, ushqimin, ujin, veshjen dhe mbrojtjen mjekësore me çka këtyre njerëzve së paku u kthye dinjiteti të cilin duhet ta gëzoj secili njeri. 

Zonja dhe zotërinj, 

Është fakt se kriza e refugjatëve, para se gjithash, e goditi Evropën dhe për këtë arsye ballafaqimi me të duhet të jetë në nivel të Evropës. Gjithsesi se për të nevojitet bashkëpunimi maksimal ndërmjet të gjitha shteteve, përkatësisht bashkëpunimi ndërmjet institucioneve kompetente. 

Në fillim të krizës së emigrantëve dhe të refugjatëve te ne u ndje mungesa e kooperativitetit nga fqinji ynë jugor, por kjo është tejkaluar pasi të gjithë e kemi të qartë se ky është interesi ynë i përbashkët. 

Në drejtim të bashkëpunimit të menaxhimit kufitar dhe mbështetjes së kërkuar lidhur me aspektet e sigurisë së krizës së emigrantëve, disa vende-partnere u përgjigjen me dërgimin e policëve, pajisjen për mbrojtjen kufitare, si dhe financa dhe këtu do t'i përmend: Hungarinë, Kroacinë, Serbinë, Slloveninë, Çekinë, Sllovakinë, Austrinë dhe Poloninë. Dua të theksoj se sot në kufirin tonë jugor dhe verior janë prezent patrulle të përziera policore. Rezultatet nga prezenca e përforcuar dhe angazhimi aktiv i forcave të sigurisë të Maqedonisë, por edhe të patrullave të përziera policore janë të dukshme. Në periudhën janar - shtator 2016 u hasën 30.000 përpjekje për kalim joligjor të kufirit tonë jugor. 

Në gusht 2016, u zbatuan gjithsej 588 patrulle kufitare së bashku me oficerët nga Austria, Kroacia, Serbia, Sllovenia, Sllovakia dhe Hungaria. Gjithsesi, bashkëpunimi për menaxhimin kufitar vazhdon edhe më tutje. 

Të nderuar të pranishëm, 

Përmes delegacionit tonë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Republika e Maqedonisë në mënyrë aktive merr pjesë edhe në krijimin e dokumenteve dhe rezolutave që këtu miratohen, e të cilat kanë të bëjnë me krizën e emigrantëve dhe të refugjatëve, por edhe në mënyrë aktive punojmë në zbatimin e tyre. 
Gjithashtu, në kornizat e bashkëpunimit bilateral, si dhe në të gjitha format e bashkëpunimit multilateral, para se gjithash, në nivel të rajoneve, posaçërisht e potencoi nevojën nga bashkëpunimi rreth zgjidhjes së të gjitha problemeve që i imponoi kjo krizë. Për këtë arsye, jam i bindur se edhe ky takimi ynë do të japë kontribut cilësor pozitiv me qëllim se si më mirë t'u përgjigjemi të gjitha sfidave që i sjell kriza e refugjatëve dhe gjithsesi se si të ndihmojmë të krijohen kushtet në shtetet prej ku vijnë refugjatët që të arrihet paqja dhe kushtet për një jetë normale të këtyre njerëzve. 

Ju faleminderit.               

Click