Aktivitetet

E mërkurë, 29 prill 2015 

Debati publik me temë: "Si të arrijmë deri te barazia gjinore?" 

Komisioni për Çështje Evropiane dhe Komisioni për Mundësi të Barabarta i Femrave dhe Meshkujve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë sot mbajtën debat publik me temë:  "Si të arrijmë deri te barazia gjinore?". 

Me fjalime përshëndetëse, debatin e hapën znj. Nora Aliti, nënkryetare e Komisionit për Çështje Evropiane dhe znj. Liljana Popovska, kryetare e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve. Fjalime hyrëse në temën kishin: zëvendëskryeministri në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, i ngarkuar për çështje evropiane, z.  Fatmir Besimi, dhe zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, z.  Ibrahim Ibrahimi. 

Pas kësaj u hap diskutim në të cilin u përfshinë anëtarët dhe zëvendësanëtarë e komisioneve, deputetët, përfaqësuesit e institucioneve, komisioneve lokale për mundësi të barabarta të femrave dhe meshkujve dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare. 

Duke e pasur parasysh se Republika e Maqedonisë ka kornizë ligjore dhe institucionale për arritjen e barazisë gjinore, përvojë pozitive me kuotat gjinore me të cilat u arrit shkalla prej 34% e femrave në parlament dhe 30% në këshillat lokale, praktikë pozitive nga zbatimi i konceptit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, si dhe rezultate solide me masat për mbështetje të më shumë kategorive të femrave, por njëkohësisht duke e konstatuar nevojën për avancim të mëtutjeshëm të barazisë gjinore nga më shumë aspekte, komisionet i miratuan konkluzionet në vijim

1. Komisioni për Çështje Evropiane dhe Komisioni për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve rekomandojnë që trupat punues kompetentë dhe Kuvendi i Republikë së Maqedonisë ta ndjekin zbatimin e Strategjisë për barazi gjinore 2013-2020, dispozitave të Ligjit për mundësi të barabartë, si dhe standardeve dhe principeve të konventave ndërkombëtare dhe dokumentet të cilat Republika e Maqedonisë i ka nënshkruar ose ratifikuar, e që kanë të bëjnë me mundësitë e barabarta dhe me mbrojtjen nga diskriminimi i femrave në sferën e punës, mbrojtjes sociale dhe sigurimit social, ekonomisë dhe sferat tjera. 

2. Komisionet propozojnë avancimin e koordinimit ndërmjet sektorit publik, privat dhe civil në planifikimin dhe ndjekjen e progresit në arritjen e barazisë gjinore. 

3. Komisionet angazhohen që shteti përmes fushatave publike dhe manifestimeve tjera të ndikojë në mendimin publik të qytetarëve, për rolin shoqëror të femrave dhe meshkujve. 

4. Komisionet sugjerojnë në nevojën për përfaqësim të barabartë të femrave në listat zgjedhore në Republikën e Maqedonisë në nivel parlamentar dhe lokal, përmes rritjes së kuotave gjinore, si dhe në nevojën për më shumë femra kryetare të komunave. 

5. Me qëllim të arritjes së barazisë së plotë gjinore në plan profesional, nevojitet të arrihet përfaqësim më i lartë në pozitat udhëheqëse në organet e administratës shtetërore dhe pushtetin lokal dhe organet tjera shtetërore të themeluara me Kushtetutën dhe ligjet, si dhe në institucionet që kryejnë punë me interes publik, ose autorizime të besuara publike, institucione, fonde, agjenci, si dhe ndërmarrje publike. 

6. Komisionet sugjerojnë në nevojën që shteti, të ndërmarrë masa me të cilat femrave do t'u mundësohet balancë ndërmjet jetës private dhe profesionale, me qëllim që ajo të mos mund të zgjedhë ndërmjet amësisë dhe karrierës. 

7. Komisionet rekomandojnë që të rritet kapaciteti i administratës për përfshirje të perspektivës gjinore, përmes zhvillimit të moduleve për gender mainstreaming për  nëpunës shtetëror nga ana e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

8. Komisionet angazhohen për inicim, propozimin, miratimin, si dhe ndryshimin dhe plotësimin e rregullativës ligjore në Republikën e Maqedonisë në lidhje me barazinë gjinore, në pajtim me të drejtën e Bashkimit Evropian.

9. Komisionet konsiderojnë se është i domosdoshëm përforcimi ekonomik i femrave, përmes sigurimit të më shumë mjeteve për programe, të cilat tashmë ekzistojnë, si dhe për programe të reja me të cilat do të avancohet statusi i femrave në përgjithësi, e në veçanti të femrave sipërmarrëse, femrave rurale, femrave me rrezik social, si dhe femrave me nevoja të veçanta .

10. Komisionet sugjerojnë që të avancohet pozita e femrave sipërmarrëse, përmes sigurimit të strategjisë së veçantë me seri masash për stimulim dhe lehtësim të sipërmarrësisë femërore.

11. Komisionet kërkojnë që të avancohet pozita e femrave rurale, përmes nxitjes dhe lehtësimit të përfshirë në iniciativat lokale dhe të fillojnë aktivitete ekonomike personale, me përmirësim të njëkohshëm të kushteve për jetesë dhe përmbushje të nevojave sociale, arsimore dhe shëndetësore. 

12. Komisionet e nxisin praktikimin e mëtutjeshëm të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në nivel nacional dhe lokal duke e pasur parasysh atë që është arritur deri tani, për arritjen e barazisë së plotë gjinore.

13. Komisionet sugjerojnë në nevojën për ratifikimin e "Konventës së Këshillit të Evropës për parandalim dhe luftë kundër dhunës ndaj femrave dhe dhunës familjare" e njohur si Konventa e Stambollit si dhe për sigurimin e më shumë mjeteve për forcimin institucional të institucioneve kompetente.

14. Komisionet kërkojnë avancim të konceptit për barazi gjinore në procesin e arsimit në të gjitha nivelet, me vazhdimin e studimeve të gjinisë, për shkak të luftës efikase me diskriminimin.

15. Komisionet e theksojnë nevojën që Enti Shtetëror për Statistikë ta avancojë statistikën gjinore dhe të sigurojë arritshmëri të saj të plotë, me theks të posaçëm të të dhënave statistikore sipas gjinive në sfera të ndryshme, siç janë shëndetësia, arsimi, kushtet e punës dhe kushtet ekonomike, dhuna dhe fuqia e vendimmarrjes.

16. Komisionet e nxisin bashkëpunimin ndërmjet komisionit të Kuvendit dhe komisioneve lokale për mundësi të barabarta në bazë të "Kornizës Strategjike për Bashkëpunim" nga 11.09.2013 e miratuar në Parlament.

17. Me përmbajtjen e këtyre konkluzioneve të njoftohen Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, Sekretariati për Çështje Evropiane i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Enti Shtetëror për Statistikë dhe të njëjtat të publikohen në ueb - faqen e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë".   

Click