Aktivitetet

E hënë, 17 korrik 2017

Estonia e mbështet zgjerimin e BE-së 

Deputetja Shpresa Hadri nga 9 deri më 11 korrik 2017, mori pjesë në Konferencën e kryetarëve të komisioneve për çështje evropiane të vendeve anëtare të BE-së - KOSAK, që u mbajt në Talin. 

Në Konferencën, Kryeministri i Estonisë Juri Ratas, e prezantoi Programin dhe katër prioritetet në të cilat do të vihet theksi: ekonomi e hapur dhe novatore; BE e sigurt dhe e mbrojtur; BE digjitale dhe qarkullim të lirë të të dhënave; BE inkluzive dhe e qëndrueshme.

Ndërmjet këtyre katër prioriteteve, Estonia i jep përparësi BE-së digjitale, sepse ky vend me vite është lider në teknologjinë digjitale.

Në kuadër të debatit për prioritetet e kryesimit të Estonisë me BE-në, fjalim mbajti deputetja Shpresa Hadri, e cila i potencoi ndryshimet pozitive në klimën politike në Maqedoni, gjë që paraqet edhe hap pozitiv në proceset eurointegruese të vendit, pas krizës dyvjeçare politike, epilogu i së cilës filloi me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në dhjetor vitin e kaluar.

Në këtë drejtim, informoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë, javën e kaluar e miratoi Planin Aksional për realizimin e reformave të nevojshme të BE-së, të titulluar si Plani 3-6-9, me ç'rast theksoi se tre muajt e ardhshëm janë kryesore për Maqedoninë që t'i japë tri sinjalet e para se është e gatshme të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, ashtu që deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në këtë vjeshtë, do të sigurohet argumentimi për Komisionin Evropian ta mënjanojë kushtëzimin e rekomandimit për fillimin e negociatave aderuese.

Hadri theksoi se sundimi i së drejtës, reformat sistematike, barazia ndërmjet qytetarëve në pajtim me Marrëveshjen e Ohrit, marrëdhëniet e mira fqinjësore, integrimi euroatlantik urgjent, si dhe mirëqenia sociale do të jenë shtyllë e punës sonë.

Ajo shprehi optimizëm se partitë parlamentare edhe të pozitës edhe të opozitës do ta vërtetojnë përkushtimin e tyre për procesin evropian, dhe vendi do t'i fillojë negociatat për anëtarësim në BE.

Në fund të debatit, Kryeministri i Estonisë, Ratas, theksoi se Estonia është mbështetëse e fuqishme e zgjerimit me vende të reja anëtare të Ballkanit Perëndimor, si dhe me vendet e partneritetit të BE-së, fqinjët lindorë, si Ukraina dhe Gjeorgjia.

Click