Aktivitete

E premte, 30 shtator 2016

Fjalimi i znj. Renata Deskoska, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe shefe e delegacionit në AP të OSBE-së në hapjen e Sesionit të vjeshtës të AP të OSBE-së

Znj. kryetare e AP të OSBE-së, 
Të nderuar kolegë deputetë, 
Anëtarë të korit diplomatik, 
Zonja dhe zotërinj, 

Kam nder të veçantë t'ju dëshiroj mirëseardhje në Republikën e Maqedonisë, me rastin e Sesionit të vjeshtës në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së në vitin 2016. Ky është eveniment i parë i AP të OSBE-së që e organizon Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, por gjithashtu edhe evenimenti më i madh parlamentar ndërkombëtar që është organizuar deri më tani në vendin tonë. Njëkohësisht, dëshiroj ta shpreh kënaqësinë time që ky sesion përkon me shënimin e tre jubileve të rëndësishme: 25 vjetori i Asamblesë parlamentare të OSBE-së, 15 vite nga Sesioni i vjeshtës i kësaj Asambleje, por, gjithashtu, 25 vite nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë. 

Zonja dhe zotërinj, 

Gjatë 25 viteve të ekzistimit të saj, Asambleja parlamentare e OSBE-së e dëshmoi rëndësinë dhe rolin e vet kryesor dhe esencial në sigurimin e forumit për dialog ndërmjet parlamentarëve nga Evropa, Azia dhe Amerika Veriore, realizimin e misioneve për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe përforcimin e bashkëpunimit parlamentar ndërkombëtar për çështjet politike, ekonomike dhe të sigurisë lidhur me mjedisin jetësor dhe të drejtat e njeriut. 

Fatkeqësisht, pas 25 viteve nga themelimi, Asambleja parlamentare e OSBE-së ballafaqohet me sfida serioze për implementimin e vlerave të saj, siç janë paqja, siguria, të drejtat e njeriut, demokracia, sundimi i së drejtës, zhvillimi ekonomik. 

Në fillim të shekullit 21, sfidat e sigurisë, kërcënimi nga terrorizmi, por edhe kriza ekonomike zbuluan tendenca jodemokratike në disa vende që llogariteshin si vende demokratike. Kriza e refugjatëve na bëri të ballafaqohemi me frikën. Ndërsa frika është motivuesi kryesore i ideve jodemokratike, i lëvizjeve politike radikale dhe ekstreme, të cilat mund t'i rrezikojnë vlerat kryesore të OSBE-së. Por, OSBE-ja luajti dhe duhet të vazhdojë të ketë rol të fuqishëm në riafirmimin e vlerave të përbashkëta, siç janë të drejtat e njeriut dhe sundimi i së drejtës. 

Andaj, dëshiroj të theksoj se kujdesi për sigurinë rajonale nuk guxon të jetë në dëm të kujdesit për cilësinë e demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut në vendet anëtare të OSBE-së. Të drejtat e njeriut janë pjesë esenciale e asaj që është sot OSBE-ja, ajo që quhet "dimension njerëzor". 

Fatkeqësisht, sot, të drejtat e njeriut, veçanërisht liria e të shprehurit, mediat e lira, por edhe zgjedhjet e lira janë të rrezikuara në vende të caktuara në kuadër të OSBE-së. Në periudhën në të cilën triumfonte ideja për demokraci dhe ishte e pakontestueshme në planin ndërkombëtar, lindën regjime të cilët duken si demokratike por kanë më shumë tipare autoritare. Doemos duhet të pranojmë se institucionet demokratike në një pjesë të vendeve anëtare të OSBE-së janë dobësuar. Është vlerësim optimist të thuhet se demokracia stagnon.  Do të ishte më real vlerësimi të thuhet se bëhet fjalë për demokraci prapavajtëse. Me shkelje të principeve të zgjedhjeve të lira dhe të drejta dhe me rrezikimin e të drejtave themelore të njeriut, janë rrënuar themelet e demokracisë dhe sundimit të të së drejtës. Klientelizmi dhe  korrupsioni, dhe institucionet e papërgjegjshme demokratike shpijnë në pakënaqësi të madhe të qytetarëve. 

Të nderuar kolegë, 

Asambleja parlamentare e OSBE-së duhet në mënyrë të hapur dhe të guximshme të bisedojë për problemet me të cilat ballafaqohemi në kohën e sotme. Për Republikën e Maqedonisë, e cila në periudhën e kaluar ballafaqohet me krizë serioze politike, juridike dhe institucionale, mbajtja e këtij Sesioni të vjeshtës të Asamblesë parlamentare të OSBE-së është me rëndësi të veçantë, që të kthehemi në rrugën e vërtetë, në rrugën e respektimit të të drejtave të njeriut, rrugën e mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të drejta dhe përtëritjen e principeve demokratike të sundimit. Këtu në veçanti dua të theksoj rolin e Asamblesë parlamentare të OSBE-së dhe ODIHR-së në mbështetjen për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe presim që ato të kenë rol aktiv në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë të cilat duhet të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti. Shpresoj se tema në këtë Konferencë parlamentare të OSBE-së do të sigurojë kornizë të mjaftueshme për një diskutim të frytshëm për këto sfida. Në fund, në emër të Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Asamblenë parlamentare të OSBE-së, dua t'ju falënderohem që e pranuat ftesën tonë dhe jeni pjesë e këtij evenimenti të rëndësishëm për Republikën e Maqedonisë. 

Ju faleminderit! 

 
a

Na ndiqni në: