Aktivitetet

E enjte, 3 tetor 2019

PJESËMARRJA AKTIVE E DEPUTETËVE KITEV DHE HADRI NË SESIONIN E APKE-SË

Gjatë sesionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të mbajtur këtë javë në Strasburg, deputetët Kitev dhe Hadri morën pjesë në debatet në disa tema.

Kitev foli për përmirësimin e mbrojtjes së denoncuesve në Evropë, duke theksuar se denoncuesit luajnë rol kryesor në parandalimin e shkeljeve të ligjeve dhe mbrojtjen e shoqërisë, por ato shpesh dekurajohen t'i paraqesin shqetësimet ose dyshimet e tyre nga frika e hakmarrjeve. Për këtë qëllim, Kitev e përshëndeti propozimin e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës për të rishikuar legjislacionin e tyre përkatës për t'u dhënë denoncuesve në vendet e tyre një nivel më të lartë të mbrojtjes, ose ashtu si ato në vendet anëtare të BE-së. Ai gjithashtu foli edhe për nevojën e vendosjes së standardeve të përgjithshme për institucionin e Avokatit të Popullit në Evropë dhe, duke e ndarë përvojën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, theksoi se institucionet e Avokatit të Popullit kanë rol kryesor në konsolidimin e demokracisë, sundimit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe për këtë arsye i përshëndeti të gjitha propozimet që e promovojnë punën e tyre.

Deputetja Shpresa Hadri mbajti fjalim për Bankën e Këshillit të Evropës. Ajo theksoi se Banka siguron financa dhe ekspertizë teknike për projektet me ndikim të lartë social dhe kështu promovon në mënyrë aktive kohezionin social dhe e rrit integrimin shoqëror në Evropë. Siç thuhet në Raport, plani i radhës i zhvillimit për vitet 2020 - 2022 e thekson rolin e Bankës së Zhvillimit të Këshillit të Evropës në mobilizimin kolektiv të të gjitha palëve të interesuara drejt arritjes së qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së, veçanërisht duke u përqëndruar në nevojat e grupeve më të favorshme të popullsisë edhe në zonat urbane dhe rurale. Ajo konkludoi se është detyrë e politikanëve të punojnë për të siguruar barazi sociale dhe se parlamentarët mund të luajnë rol më aktiv në promovimin e iniciativave të projektit në vendet e tyre.

Kitev pati një koment të shkurtër për zonjën Marija Pejçinoviq-Buriq pas fjalimit të saj të parë para deputetëve pasi mori postin e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Ai iu referua propozimit të Francës për të formuar një vëzhgues për mësimin e historisë në Evropë që synon të sigurojë vlerësim neutral për atë se si mësohet historia në shkolla dhe i kërkoi Sekretares së Përgjithshme një elaborim më të gjerë të këtij propozimi gjatë fjalimit të saj të ardhshëm.

Click