Aktivitetet

E enjte, 21 shtator 2017

Takim i kryetarit Xhaferi me Delegacionin e Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Shtëpisë së Lordëve në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, sot në organizim të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Maqedonisë, realizoi takim me delegacionin e Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Shtëpisë së Lordëve në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Lordin Brus Grokot dhe Baroneshën Xhin Kusins. 

Kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi, në fillim të takimit shprehu mirënjohje të madhe për përkrahjen e fuqishme dhe të hapur që Mbretëria e Bashkuar ia jep Republikës së Maqedonisë në raport me reformat e duhura të brendshme në rrugëtimin e saj kah integrimi në strukturat euroatlantike dhe theksoi se edhe përskaj Bregzitit, në Republikën e Maqedonisë edhe më tutje do të jenë të mirëseardhura përvojat britanike nga anëtarësia në Bashkimin Evropian., të cilat do të ndihmojnë në realizimin e qëllimit strategjik, dhe ky është anëtarësimi i plotfuqishëm në Bashkimin Evropian. 

Kryetari Xhaferi informoi për nënshkrimin e Memorandumit të dytë për bashkëpunim me Vestminster Fondacionin për Demokraci, që u bë më pesëmbëdhjetë shtator, në Ditën e demokracisë, që është konfirmim i bashkëpunimit të shkëlqyer që kultivohet në njëzetepesë vitet e kaluara, mirëpo edhe konfirmim për gatishmërinë tonë për përfitimin dhe implementimin e praktikave të mira parlamentare sipas shembullit të Parlamentit Britanik, që është djepi i demokracisë parlamentare botërore. 

Në pyetjen se cilat janë sfidat e para me të cilat është ballafaquar z. Xhaferi gjatë ndërmarrjes së këtij funksioni të lartë shtetëror, kryetari i Kuvendit u përgjigj se ato janë avancimi i proceseve demokratike, përforcimi i institucioneve, përforcimi i rolit kontrollues të parlamentit, parlament transparent dhe sipas këtyre sfidave edhe nevoja për ndryshime të caktuara në Rregulloren e Kuvendit. 

Lordi Grokot dhe Baronesha Kusins shprehën kënaqësi nga mikpritja në Kuvеndin e Republikës së Maqedonisë, në shtëpinë e demokracisë dhe të qytetarëve, për arsye se parlamenti paraqet shtyllën e demokracisë. Funksioni i kryetarit të parlamentit është më i rëndësishmi dhe më i përgjegjshmi, veçanërisht gjatë ndërrimit të pushteteve. Ajo pozitë kërkon përkushtim të madh personal dhe durim, a fakti që mendimi publik dhe përkrahja publike janë përmirësuar, e inkurajojnë në plotësim për punë kryetarin aktual të Kuvendit. 

Bashkëbiseduesit këmbyen mendime rreth sfidave të ardhshme të përbërjes së re parlamentare, rreth rolit të Kuvendit si korrektues i pushtetit ekzekutiv dhe për reformat e duhura sipas Planit  "3-6-9" të Qeverisë në drejtim të integrimit sa më të shpejtë të Republikës së Maqedonisë në strukturat euroatlantike. Gjithashtu, mbajtja dhe kultivimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore është imperativ për stabilitetin e përbashkët rajonal.  

Click