Udhëheqja parlamentare

E martë, 26 shkurt 2019

Takim i Kryetarit Xhaferi me ish Presidentin e Kroacisë, z. Stipe Mesiq

Sot, në margjinat e shënimit të 15 vjetorit të vdekjes tragjike të ish Presidentit të Republikës, z. Boris Trajkoski, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi u takua me ish Presidentin e Kroacisë, z. Stipe Mesiq. Zotëri Mesiq falënderoi për mundësinë për këtë takim të shkurtër por të përzemërt në të cilin nuk e lëshoi mundësinë të shprehë lëvdate për hapin historik që e ndërmori Republika e Maqedonisë së Veriut me nënshkrimin e Marrëveshjes me Republikën e Greqisë. Hap i cili mundësoi debllokim të proceseve tona eurointegruese, respektivisht e hapi rrugën kah anëtarësimi jonë i plotfuqishëm në NATO, sipas parashikimeve më optimiste kah fundi i muajit qershor të këtij viti, dhe rrugën kah marrja e datës për fillimin e negociatave aderuese me BE-në. 

Kryetari Xhaferi e informoi bashkëbiseduesin se është në procedurë ratifikimi i Protokollit për aderimin në NATO në parlamentet nacionale dhe deri tani këtë e kanë bërë Sllovenia, Shqipëria, Bullgaria, ndërsa kah fundi i javës pritet edhe ratifikimi në Malin e Zi dhe në Kroaci. Kjo është shenjë se mosmarrëveshjet e të kaluarës janë tejkaluar në masë të madhe në rajon dhe se hapërojmë fortë kah rruga e sigurisë dhe përparimit të përbashkët. Kjo është gjithashtu shembull se si duhet të tejkalohen edhe çështjet akoma të hapura të cilat e ngarkojnë atë përparim dhe zhvillim. 

Të dy bashkëbiseduesit e theksuan rëndësinë e përforcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet vendeve në rajon dhe shprehën shpresë se liderët progresivë dhe vizionarë do të durojnë në rrugën e vet kah përparimi dhe mirëqenia e të gjithë qytetarëve. 


                                                                                                        

Click