Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 19 shtator 2018 

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME ANËTARËT E KOMITETIT TË PËRZIER PARLAMENTAR NGA PARLAMENTI EVROPIAN

Sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi  realizoi takim me anëtarët e Komitetit të Përzier Parlamentar, të cilët janë këtu me rastin e Takimit të 15-të të Komitetit të Përzier Parlamentar - Republika e Maqedonisë dhe Bashkimi evropian, mikpritës i së cilit është pikërisht Kuvendi. 

Në fillim të takimit, kryetari Xhaferi u uroi mirëseardhje të përzemërt në shtëpinë ligjvënëse dhe ju uroi punë të frytshme dhe të suksesshme në takimin që vijon. Me atë rast ai tha se nëpërmjet Komitetit të Përzier Parlamentar realizohet bashkëpunim dhe komunikim intensiv me Parlamentin evropian, i cili në vazhdimësi shpreh mbështetje të fuqishme për procesin tonë eurointegrues. Për Republikën e Maqedonisë, mbajtja e dialogut të rregullt me partnerët strategjik natyrorë është i rëndësishëm për arsye se kjo kontribuon për vlerësimin e përparimit në procesin reformues dhe vërejtjet dhe rekomandimet që i pranojmë, gjithmonë i konsiderojmë si mbështetje të zhvillimit tonë demokratik. 

Nga ana e anëtarëve të Komitetit të Përzier Parlamentar u shpreh falënderim për takimin e mundësuar në këtë periudhë kaq intensive për Kuvendin dhe për Republikën e Maqedonisë. Ato i transmetuan përshtypjet nga takimet e realizuara paraprakisht me faktorët politikë në spektrin politik të Maqedonisë, me ç'rast përkujtuan se Republika e Maqedonisë ishte vendi i cili ishte më i pjekur për pranim, krahasuar me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Shprehën optimizëm dhe mbështetje të kësaj fryme evropiane ndërsa shenjë e kësaj mbështetjeje janë vizitat e shpeshtuara të përfaqësuesve të shumtë të bashkësisë ndërkombëtare dhe se mundet kjo duket si një lloj presioni mirëpo, kjo duhet të kuptohet vetëm si përkushtim i vëmendjes dhe dëshirë për rrumbullakim të suksesshëm të të gjitha fazave të Marrëveshjes paraprakisht të arritur të Prespës. 

Në vazhdim, anëtarët shfaqën interes për procedurën në të gjitha fazat dhe kryetari Xhaferi ua sqaroi në detaje gjithë procedurën, me ç'rast tha se pritjet janë referendumi të jetë i suksesshëm, pas së cilit do të vijojë miratimi i ndryshimeve kushtetuese, që mandej Marrëveshja të ratifikohet edhe nga pala greke. Ai shtoi se qytetarët janë të vetëdijshëm se nuk ka opsion tjetër përveç se Republika e Maqedonisë të ketë proces të suksesshëm të negociatave për aderim në BE dhe NATO dhe se çdo parashikim tjetër do të ishte vetëm humbje e kohës së çmuar. 

Click