Udhëheqja parlamentare

E premte, 20 prill 2018

TAKIM I KRYETARIT XHAFERI ME PRESIDENTIN E REPUBLIKËS SË TURQISË, Z. REXHEP TAIP ERDOGAN

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë sot në Ankara u takua me Presidentin e Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Edogan. Në takim ishin të pranishëm edhe deputetët z. Vesel Memedi, z. Enes Ibrahim dhe z. Jusuf Hasani. 

Kryetari Xhaferi shprehu falënderim për realizimin e vizitës dhe kënaqësi nga intensiteti i vizitave në nivelin më të lartë, që paraqet mundësi që Republika e Maqedonisë dhe Republika e Turqisë ta konfirmojnë miqësinë tradicionale dhe ta përforcojnë bashkëpunimin e suksesshëm shumëvjeçar. 

Presidenti Rexhep Taip Erdogan e theksoi përkrahjen e Turqisë për integrimin e Maqedonisë në NATO, si edhe qëndrimin parimor në drejtim të përdorimit të emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë. Ai nënvizoi se Turqia ishte ndër shtetet e para që e njohu shtetin tonë nën emrin kushtetues, ajo e para hapi ambasadë dhe emëroi ambasador në vend. Njëkohësisht, presidenti turk foli për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik, duke e riafirmuar angazhimin që këmbimi vjetor tregtar ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë të rritet në një miliardë dollarë. 

Bashkëbiseduesit këmbyen mendime për gjendjet në dy vendet dhe për ngjarjet aktuale në rajon, me ç’rast kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë informoi për marrjen e raportit pozitiv dhe rekomandimit të pakushtëzuar për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE nga ana e Komisionit Evropian, si rezultat i progresit të arritur në vend. Gjithashtu, z. Xhaferi theksoi se shumica parlamentare në Republikën e Maqedonisë është seriozisht e përcaktuar për realizimin e agjendës reformuese, duke e konfirmuar përkushtimin ndaj vlerave themelore demokratike, sundimin e të drejtës, respektimin të drejtave njerëzore, ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe zgjidhjen  e çështjeve të hapura. 

Në takim u bë fjalë edhe për nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, me ç’rast u potencua se Republika e Maqedonisë e dënoi tentativën për grusht shteti në Turqi dhe i përkrah institucionet e zgjedhura në mënyrë demokratike.

Në fund të takimit, bashkërisht u potencua rëndësia e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe diplomacisë parlamentare për marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale, në raport me përparimin e dialogut politik dhe rritjes së dinamikës së bashkëpunimit të përgjithshëm ndërmjet vendeve. 


Click