Udhëheqja parlamentare

E martë, 5 shkurt 2019

Takim i kryetarit Xhaferi me Sekretarin e përgjithshëm të IEQ, SH.T. Roberto Antonjone  

Në takimin e sotëm të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi, me Sekretarin e përgjithshëm të Iniciativës Evropiane Qendrore (CEI), senatorin italian Roberto Antonjone, i cili qëndron në vizitë pune në Republikën e Maqedonisë, u këmbyen më shumë informata dhe mendime rreth bashkëpunimit të deritanishëm dhe të ardhshëm në kuadër të IEQ (CEI).

Kryetari i shtëpisë ligjvënëse, duke i uruar mirëseardhje mysafirit drejtoi urime për zgjedhjen e tij në postin e Sekretarit të përgjithshëm të IEQ në periudhën kur shënohen 30 vjet nga formimi i kësaj nisme dhe me këtë rast shprehu bindje se me përmbylljen e suksesshme të kontestit me Republikën e Maqedonisë si edhe anëtarësimin tonë në NATO dhe BE, në njëfarë mënyrë në masë të madhe e përmbushim ngadalë misionin e IEQ, dhe kjo është para së gjithash integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor si edhe përforcimi i bashkëpunimit dhe politikës së fqinjësisë së mirë si faktorë kryesorë për zhvillimin e vendeve të Ballkanit.

Kryetari Xhaferi po ashtu e potencoi faktin se roli i bashkëpunimit parlamentar në kuadër të IEQ është me rëndësi të madhe dhe theksoi se  delegacioni parlamentar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë do të vazhdojë të marrë pjesë në mënyrë aktive në punën e dimensionit parlamentar të IEQ edhe në periudhën e ardhshme, për arsye se me këtë hapen shumë mundësi për komunikim të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunim ndërmjet shteteve në të gjitha fushat. 

Sekretari i përgjithshëm i IEQ, senatori Roberto Antonjone, shprehu kënaqësi për takimin me kryetarin Xhaferi dhe drejtoi urime për suksesin e madh që e arritëm si shtet në zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Republikën e Greqisë dhe hapjen e rrugës tonë kah Evropa dhe shprehu shpresë se kjo qasje në zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet fqinjëve do të jetë shembull për të gjitha vendet tjera në rajon. Ai gjithashtu theksoi se IEQ si nismë për ndërlidhjen dhe integrimin e vendeve të rajonit kah vlerat evropiane, paraqet një lloj vegle nëpërmjet të së cilës shtetet munden më lehtë ta artikulojnë dhe realizojnë politikën e vet të stabilizimit dhe integrimit. Në fund, Sekretari i përgjithshëm i IEQ shprehu besim në vazhdimin e suksesshëm të bashkëpunimit të deritanishëm  dhe participimit tonë në kuadër të institucioneve të IEQ.

Të dy bashkëbiseduesit i uruan Republikës Italiane kryesim të suksesshëm me IEQ në vitin 2019. 

Click