Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 28 mars 2018

TAKIMI I KRYETARIT XHAFERI DHE DELEGACIONIT TË KUVENDIT NË UIP ME DELEGACIONIN ZVICERAN NË UIP

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në UIP, i paraprirë nga z. Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në suazat e pjesëmarrjes në Asamblenë e 138. të Unionit Interparlamentar në Gjenevë, Konfederata zvicerane, kishte drekë pune me Delegacionin zviceran në UIP, të paraprirë nga z. Andrea Koroni, shef i Delegacionit. 

Shkaku për drekën e punës ishte dy delegacionet të informohen dhe të këmbejnë ndërmjet veti informata për projektin për përkrahje parlamentare teknike të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, të financuar nga Konfederata zvicerane dhe i përkrahur nga Asambleja Federale e Zvicrës.  Shefi i Delegacionit zviceran në UIP, z. Andrea Koroni, theksoi se projekti ka për qëllim të sigurojë përkrahje teknike dhe institucionale të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në përpjekjet e tij për përmirësim plotësues të funksionimit të brendshëm, të mbikëqyrjes dhe kapaciteteve ligjvënëse, si edhe përparimit të transparencës dhe llogaridhënies para qytetarëve. Implementimi i suksesshëm i Projektit, duhet të kontribuojë për nxjerrjen e ligjeve më cilësore dhe për shfrytëzimin më të mirë të resurseve publike, respektivisht, në mënyrë plotësuese ta përforcojë rolin e Kuvendit në raport me pushtetin ekzekutiv. Ai theksoi se ideja për këtë projekt ka ardhur pikërisht prej Delegacionit zviceran në UIP. 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, a njëkohësisht edhe shef i Delegacionit të UIP-së, shprehu bindjen se projekti “Program për përkrahjen e parlamentit” do të sigurojë funksionim më efikas dhe përfshirës të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, gjegjësisht, përforcim të tërësishëm institucional, përparim të funksionimit të tij ligjvënës dhe mbikëqyrës dhe mundësim të qasjes përkatëse në punën e Kuvendit për qytetarët, nëpërmjet transparencës dhe llogaridhënies së përforcuar. Ai u falënderua për donacionin e financuar nga tatimpaguesit zviceran dhe theksoi se projektin e tërësishëm do e ndjekë Këshilli Drejtues dhe Këshilli Këshillëdhënës. Duke nënvizuar se në përputhje me dinamikën e planifikuar, faza përgatitore e projektit do të fillojë më 1 korrik 2018, kryetari Xhaferi i ftoi kolegët zviceran ta vizitojnë Kuvendin e Republikës së Maqedonisë atë ditë dhe në vetë vendin të informohen për implementimin e të njëjtit. 

Në drekën e punës bashkëbiseduesit këmbyen mendime edhe për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Konfederatës Zvicerane dhe u pajtuan që edhe në të ardhmen të mbahen takime në suazat e asambleve të Unionit Interparlamentar.


Click