Udhëheqja parlamentare

E mërkurë, 20 shkurt 2019

Xhaferi-Karajançeva: Ratifikimi i Protokollit është akt i rëndësishëm për qytetarët e të dyja shteteve

Sot, Kuvendi i Republikës së Bullgarisë, unanimisht me 139 vota për, e ratifikoi Protokollin e Aleancës Veriatlantike për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pas ratifikimit, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, dhe kolegia e tij, Cveta Karajançeva, mbajtën konferencë për shtyp në të cilën e shprehën kënaqësinë nga akti solemn i ratifikimit, që është me rëndësi për qytetarët e të dyja shteteve.

Kryetari Xhaferi theksoi se shumica parlamentare dhe qeveria aktuale në vend punuan me përkushtim në tejkalimin e kontesteve që e penguan rrugën tonë euroatlantike dhe si rezultat i këtij angazhimi e nënshkruam Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet dy vendeve tona, dhe kjo është Marrëveshja e cila është duke dhënë rezultate pozitive. 

Vitin e kaluar, tha Kryetari, e arritëm Marrëveshjen me Republikën e Greqisë për tejkalimin përfundimtar të dallimeve për emrin, kontesti shumëdekadësh i cili na mbajti në situatën status kuo që konsiderohej se asnjëherë nuk do të lëviz nga ajo pikë. Përsëri, fitoi arsyeja, fitoi vizioni, fituan qytetarët. Pa dyshim se mbështetja e marrë nga miqtë tanë ndërkombëtarë ishte era e cila e orientoi anijen tonë drejt rrugës së vërtetë. 

  

„Pas aq vitesh pritje para dyerve të NATO-s, NATO për ne mbetet realitet, përkatësisht pas nënshkrimit të Protokollit për aderim në Bruksel, filloi faza e ratifikimit të Protokollit për aderim në parlamentet e 29 vendeve anëtare të NATO-s dhe deri më tani këtë e bënë krahas Greqisë, Sllovenisë, Shqipërisë dhe ja sot, Bullgaria. Jam i bindur se pasja e Republikës së Bullgarisë pranë nesh, është garanci e fuqishme se edhe ne si vend, megjithatë edhe gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor do të zhvillohemi dhe avancohemi në rrugën e drejtë e cila do të sjell paqe, stabilitet, përparim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë. Është mirë të kesh miq të vërtetë dhe të sinqertë, edhe më mirë është ndjenja kur këta janë fqinjët tanë të drejtpërdrejtë“, tha në konferencën për shtyp Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Kryetarja e Kuvendit Popullor të Republikës së Bullgarisë, Cveta Karajançeva, theksoi se ratifikimi është akt i rëndësishëm, sepse e tregon përkushtimin për zgjidhjen e problemeve në rajon, por edhe përkushtimin për sigurinë kolektive edhe në gjithë Evropën. Ajo uroi që çështjet të vazhdojnë të zgjidhen në frymën e dialogut dhe me konsensus. Karajançeva e theksoi edhe rëndësinë e marrëveshjes së nënshkruar për miqësi dhe marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet të dyja shteteve, sepse tha, me këtë jemi më të fuqishëm, dhe në vend të perceptimit të mëhershëm se Ballkani është vend i ndarjeve dhe konfrontimeve, tani Ballkani është vendimtar për zhvillimin e paqes, stabilitetit dhe sovranitetit të shteteve. Kjo e tregon perspektivën atlantike dhe së bashku mundemi të gjejmë zgjidhje. 

Click