E marte, 23 korrik 2013
MBLEDHJA E TRIDHJETEGJASHTË E KOMISIONIT PËR BUJQËSI, PYLLTARI DHE EKONOMI TË UJËRAVE
Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e 36-të, të mbajtur sot, si trup punues amë, me procedurë të shkurtuar mori në shqyrtim propozim-ligjet në vijim:
- Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për tokën bujqësore;
- Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për cilësi të prodhimeve bujqësore;
- Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural;
- Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për verë;
- Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për shitjen e tokës bujqësore në pronësi shtetërore, i parashtruar nga deputetët Malisha Stankoviq, Rome Trenov, Elena Pavllova, Nexhati Jakupi, Sillvana Boneva, Ilija Dimovski, Pançe Dameski, Rexhail Ismaili, Marija Rashkovska dhe Vlladanka Aviroviq;
Në mbledhjen e Komisionit, në cilësi të përfaqësuesit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë ishte i pranishëm, z. Zoran Konjanovski, zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
Kryetari i Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave, znj.Lençe Nikollovska i njoftoi deputetët se në afatin e përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për verë, është parashtruar një amendament nga deputeti Malisha Stankoviq.
Në diskutimin për Propozim-ligjin ishin të pranishëm deputetët: znj.Lençe Nikollovska dhe z. Borçe Stavrov.
Komisioni me 10 vota "për" e miratoi amendamentin e propozuar.
Në lidhje me Propozim-ligjet tjera nuk u parashtruan amendamente nga propozues të autorizuar.
Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave konkludoi që Propozim-ligjet të përcillen në procedurë të mëtutjeshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.