E hënë, 22 mars 2010
MBLEDHJA E TRIDHJETETETË E KOMISIONIT PËR ÇËSHTJE EKONOMIKE
Komisioni për Çështje Ekonomike i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë më 17 mars 2010 mbajti Mbledhjen e tridhjetetetë.
Si trup punues amë, Komisioni e shqyrtoi Propozim-ligjin për themelimin e Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit të Republikës së Maqedonisë, leximi i parë.
Propozim-ligjin e arsyetoi përfaqësuesi i propozuesit, ministri i Ekonomisë Dr. Fatmir Besimi.
Ai theksoi se me miratimin e ligjit do të përparohet korniza ligjore dhe vendosja institucionale në pjesën e politikave për promovimin e vendit në tërheqjen e investimeve dhe promovimit të eksportit dhe, njëherit, drejtpërsëdrejti përcaktohen dy punë kryesore në ekonominë tonë dhe ato janë niveli i papunësisë dhe deficiti tregtar.
Pas përfundimit të debatit, në bazë të nenit 142 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Komisioni me shumicë votash vlerësoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelim të Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit të Republikës së Maqedonisë, është i pranueshëm dhe duhet të jepet në lexim të mëtejmë.
Komisioni e shqyrtoi edhe Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqëritë tregtare, leximi i dytë.
Kryetari i Komisionit Lubisav Ivanov Xingo, i njoftoi deputetët se në afatin e përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë janë parashtruar amendamente nga propozuesit e autorizuar. Në Komision janë parashtruar pesë amendamente dhe ato janë miratuar.
Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqëritë tregtare, Komisioni e kaloi në procedurë të mëtutjeshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Në po atë mbledhje Komisioni e shqyrtoi edhe Propozim-ligjin për mbikëqyrjen e tregut, leximi i dytë.
Në afatin e përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, nuk u parashtruan amendamente nga propozues të autorizuar.
Propozim-ligjin për mbikëqyrje të tregut, Komisioni e kaloi në procedurë të mëtejme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.