E premte, 24 prill 2009
ZGJERIMI I UNIONIT EVROPIAN NUK GUXON TË NDALET

Ballkani Evropian është temë e Parlamentit Evropian, e bazuar në Raportin e eurodeputetes suedeze Ana Ibrisagiq, sipas së cilës zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk guxon të vihet në pyetje. Ibrisagiq konsideron se nëse ratifikimi i Marrëveshjes së Lisbonës është i rëndësishëm, prapëseprapë pranimi i vendeve të cilat i kanë plotësuar kriteret nuk duhet të shtyhet ose refuzohet.
“Ne nuk guxojmë të qëndrojmë të lidhur vetëm me marrëveshjen e Lisabonës, përkatësisht zgjerimi i BE-së të kushtëzohet me miratimin e saj. A do të ketë marrëveshje tjetër, si do të quhet ajo, kur do ketë dhe si do të duket, ajo është detyrë para së cilës qëndron BE. Por, ne nuk guxojmë ta sjellim në pikëpyetje çështjen e zgjerimit të Bashkimit Evropian”, deklaroi Ibrisagiq, e cila kërkoi nga vendet anëtare të BE-së që t’i shqyrtojnë kandidaturat tashmë të paraqitura.
Sipas rezolutës së propozuar, perspektivat dhe përparësitë e anëtarësimit në BE paraqesin garanci më të madhe për stabilitet dhe janë motori i reformave në vendet e Ballkanit.
Çështjet e lidhura me kontestet bilaterale nuk guxojnë të ndërpresin fillimin ose rrjedhën e negociatave për anëtarësim të vendeve të Ballkanit perëndimor në BE, përkatësisht kërkohet nga vendet që kanë çështje të pazgjidhura bilaterale të bëjnë “përpjekje të rëndësishme me qëllim që të gjejnë zgjidhje të pranueshme për të dyja palët në konfliktet bilaterale”.
Në lidhje me regjimin e vizave, në Raport theksohet rëndësia e lehtësimit dhe heqjes së tij.