E premte,16 prill 2010
MBLEDHJA E DYZETENJËTË E KOMISIONIT PËR ÇËSHTJE EKONOMIKE
Komisioni për Çështje Ekonomike i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në mbledhjen e dyzetenjëtë, të mbajtur më 13 prill 2010, si trup punues amë e shqyrtoi Raportin vjetor për punën në vitin 2009 të Komisionit Rregullator për Energjetikë të Republikës së Maqedonisë dhe Raportin Vjetor për punën e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës në vitin 2009.
Në cilësinë e përfaqësuesit të propozuesit, në mbledhje ishte i pranishëm kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, z. Dimitar Petrov, i cili theksoi se në Raportin vjetor për punën në vitin 2009 të Komisionit Rregullator për Energjetikë janë dhënë aktivitetet e Komisionit të realizuara në vitin 2009 në nivel vendor dhe ndërkombëtar.
Komisioni Rregullator kujdeset për përparimin e mbrojtjes së drejtave të shfrytëzuesve të energjisë, nxjerrë rregulla për formimin e çmimeve të llojeve të veçanta të energjisë dhe shërbimeve lidhur me kryerjen e veprimtarive rregullative të energjisë, vendime për çmimet e llojeve të veçanta të energjisë dhe lloje tjera të energjentave në pajtim me dispozitat lidhur me formimin e çmimeve të llojeve të veçanta të energjisë dhe shërbimeve lidhur me ushtrimin e veprimtarive të caktuara energjetike.
Komisioni për Çështje Ekonomike me shumicë votash konkludoi që t’i propozojë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë ta miratojë Konkluzionin në vijim:
1. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e shqyrtoi Raportin Vjetor për punën në vitin 2009 të Komisionit Rregullator për Energjetikë të Republikës së Maqedonisë;
2. Ky konkluzion së bashku me Raportin e Komisionit për Çështje Ekonomike t’i dorëzohet Komisionit Rregullator për Energjetikë të Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
Në mbledhje, në cilësinë e përfaqësuesit të propozuesit, ishte i pranishëm edhe kryetari i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, z. Çedomir Kralevski, i cili dha arsyetim për Raportin për punën e Komisionit për Mrojtjen e Konkurrencës.
Ai theksoi se kompetenca themelore e Komisionit është zbulimi, parandalimi dhe sanksionimi i formave të ndryshme të kërcënimit dhe prishjes së konkurrencës në treg. Në bazë të Ligjit për ndihmë shtetërore, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës është kompetent edhe për mbikëqyrjen e çdo forme të ndihmës shtetërore të ndarë në Republikën e Maqedonisë në funksion të sigurimit edhe të konkurrencës së lirë të çliruar nga ndikimi i intervenimit shtetëror.
Në Raport është përfshirë struktura organizative e Komisionit, lëndët në procedurë administrative në të cilën Komisioni ka konstatuar ekzistimin e marrëveshjeve të ndaluara të lidhura ndërmjet ndërmarrjeve, keqpërdorimi i pozitës së tyre dominuese dhe të ngjashme. Në pjesën e ndihmës shtetërore, janë të paraqitura vendimet e Komisionit, edhe atë për vlerësimin dhe shumën e ndihmës së dhënë shtetërore dhe raportin e saj me PBV.
Komisioni për Çështje Ekonomike me shumicë votash konkludoi që t’i propozojë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë ta miratoj Konkluzionin në vijim:
1. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e shqyrtoi dhe miratoi Raportin vjetor për punën e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës të Republikës së Maqedonisë:
2. Ky konkluzion së bashku me Raportin e Komisionit për Çështje Ekonomike t’i dorëzohet Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës të Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.