E mërkurë, 20 qershor 2012
MBLEDHJA E TETË E KOMISIONIT PËR KULTURË
Komisioni për Kulturë i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në Mbledhjen e Tetë, të mbajtur dje, si trup punues amë, në lexim të dytë e shqyrtoi Propozim-ligjin për shpalljen e tërësisë monumentale të Krushevës trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë.
Në pajtim me afatin e përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, kryetari i Komisionit, z. Gordan Georgiev, e njoftoi Komisionin se për këtë Propozim-ligj nuk u parashtruan amendamente nga propozuesit e autorizuar.
Në bazë të nenit 149 paragrafi 2 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Komisioni për Kulturë parashtroi dhe me 9 vota "për" miratoi një amendament. Amendamenti u propozua për shkak të saktësimit shtesë të dispozitave të nenit.
Dihet në përgjithësi se Republika e Maqedonisë është vend multikonfesional dhe multikulturor, që veçanërisht vërehet në Krushevë, ku jetojnë më shumë etnikume nga më tepër konfesione.
Andaj, në dispozitën e këtij neni nevojitet të saktësohen në mënyrë shtesë këto vlera universale, kuptohet, krahas tjerave që përmenden dhe janë në frymën e Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e gjithashtu edhe në pajtim me Ligjin për trashëgimi kulturore.
Në debatin për amendamentin morën pjesë deputetët: z. Behixhudin Shehabi dhe z-nj. Svetllana Mazgalloska - Vuçetiq, si dhe zëvendësministri i Kulturës, z. Dragan Nedelkoviq.
Pas mbarimit të debatit, Komisioni për Kulturë e përcjelli Propozim-ligjin për shpalljen e tërësisë monumentale të Krushevës trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë në procedurë të mëtejshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.