E hënë , 7 shtator 2011
MBLEDHJA E PARË E KËSHILLIT NACIONAL PËR EUROINTEGRIME
Në mbledhjen e parë të Këshillit Nacional për Eurointegrime fjalim të saj pati Znj. Teuta Arifi, zëvendëskryetare e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë e angazhuar për çështje evropiane.
Në mbledhjen e Këshillit ishin pjesëmarrës Z. Robert Lidel, u.d. shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë; Znj. Marina Kurte, këshilltare për integrime evropiane dhe çështje juridike në Delegacionin e BE-së në Republikën e Maqedonisë dhe Znj. Marta Przeniosllo, zëvendësshefe e misionit, ambasada e Republikës së Polonisë në Republikën e Maqedonisë.
Në fjalimin e saj, dr. Teuta Arifi para Këshillit Nacional për Eurointegrime i paraqiti sfidat në lidhje me punën e ndërlidhur me eurointegrimet e shtetit. Aspekti i parë është politika e brendshme dhe obligimet që duhen të përmbushen në lidhje me konceptet që kërkohen nga BE, dhe aspekti i jashtëm-politik në lidhje me aktivitetin rajonal të shtetit. Zgjedhjet e fundit parlamentare të organizuara në Republikën e Maqedonisë janë pasqyrë pozitive për shtetin dhe Znj. Arifi pret se do të japin konkluzion të mirë në lidhje me ndërtimin e demokracisë dhe proceset e brendshme në shtet.
Zonja Arifi informoi se është përgatitur Plan aksionar për aktivitetet që duhet të ndërmerren deri në fund të vitit si përgjigje e listës së dorëzuar me rekomandime nga Komisioni Evropian. Në plan janë adresuar të gjitha çështjet, tema kyçe dhe përfshirëse janë: reformat në administratën publike dhe gjyqësinë, masat për antikorrupsion, pjesë në lidhje me mediet dhe lirinë e shprehjes, si dhe për përfaqësimin e drejtë, të kombinuar me kualitet të nëpunësve të rinj në administratë. U shpreh gatishmëri që për realizimin e Planit aksionar të debatohet në njërën nga mbledhjet e ardhshme të Këshillit Nacional për Eurointegrime.
Duke pasur parasysh faktin se çështja për integrimet euroatlantike të Republikës së Maqedonisë dhe marrja e datës për fillimin e negociatave me BE-në është e ndërlidhur edhe me kontestin me Republikën e Greqisë rreth përdorimit të emrit kushtetues të shtetit tonë, është e nevojshme që të tregohet vullnet i mirë për ballafaqimin me këtë problem, por gjithashtu të kërkohet dhe pritet të tregohet vullnet i mirë edhe nga ana tjetër.
Zgjidhja e problemeve të vendeve të Ballkanit gjendet në një të ardhme shumë konkrete, e ajo është integrimet euroatlantike dhe evropianizimi i popujve. E interesit rajonal është vendosja e dialogut të rregullt ndërmjet autoriteteve të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor bashkë me Bashkimin Evropian.
Në debatin e mbledhjes, me diskutime, sugjerime dhe rekomandime të tyre, morën pjesë Znj. Radmilla Shekerinska, kryetare e Këshillit Nacional për Eurointegrime; Znj. Sillvana Boneva, nënkryetare e Këshillit; Z. Antonio Milloshovski, Z. Kenan Hasipi, Z. Hajrulla Misini - deputetë dhe anëtarë të Këshillit; Z. Ziadin Sela dhe Znj. Ana Pavllovska-Daneva – deputetë dhe zëvendësanëtarë të Këshillit; Z. Zhivko Mirtevski, përfaqësues i LSM-së; Z. Skender Buzaku, përfaqësues i Bashkësisë Fetare Islame dhe Z. Aleksandar Kërzhallovski nga Platforma qytetare e Maqedonisë.