E mërkurë, 12 shtator 2012
DEBAT PUBLIK I KËSHILLIT NACIONAL PËR PROPOZIM-LIGJIN PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT PËR POLICI
Këshilli nacional për eurointegrime sot mbajti debat publik për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për polici. Miratimi i ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për polici është paraparë me Programin nacional për miratimin e të drejtës së Bashkimit Evropian - revizioni 2012.
Ligji është pjesë e Aneksit 2 të Mendimit për miratimin e të drejtës së Bashkimit Evropian gjatë muajit 2012, të cilin Këshilli Nacional për Eurointegrime me konsensus e miratoi në mbledhjen e mbajtur më 8 shkurt 2012.
Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për polici e arsyetoi z. Xhelal Bajrami, zëvendësministër i Punëve të Brendshme.
Në fjalimin e tij, z. Bajrami theksoi se me Ligjin për polici ("Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë" nr. 114/06 dhe 6/09), në aspektin normativ-juridik rregullohen çështjet policore, organizimi i policisë, autorizimet policore dhe të drejtat dhe obligimet që dalin nga marrëdhënia e punës lidhur me nëpunësit policorë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, që nuk rregullohen me Ligjin për Punë të Brendshme.
Duke nisur nga parimi i konsistencës së sistemit juridik, i cili paraqet harmonizim të ndërsjellë të dispozitave juridike, u imponua nevoja për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për polici, në drejtim të precizimit më të qartë të dispozitave ekzistuese dhe përcaktimit të dispozitave të reja, për harmonizimin e tij me Ligjin për procedurë penale. Një pjesë e dispozitave të Ligjit për procedurë penale hyjnë në fuqi nga muaji dhjetor të vitit 2013.
Në drejtim të harmonizimit me Ligjin për procedurë penale, z. Bajrami si më të rëndësishme i veçoi dispozitat e Propozim-ligjit që kanë të bëjnë me rregullimin, përpunimin e institutit hulumtim kriminalistik, dispozitat me të cilat përcaktohen autorizimet policore si: privim nga liria, aksion i fshehtë policor, hyrje në shtëpi të huaj dhe në hapësira tjera të mbyllura, identifikim, testim poligrafik.
Me dispozitat e Propozim-ligjit, për herë të parë rregullohet se kur dhe në cilën mënyrë policia bën hulumtime kriminalistike. Zgjidhjet të cilat i përmban Propozim-ligji janë kruciale për funksionimin efikas të policisë në luftë kundër krimit.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Bajrami, informoi se gjatë përpilimit të Propozim-ligjit, u shfrytëzua përvoja komparative e policisë kroate, u bënë hulumtime komparative mbi legjislacionin e disa vendeve të caktuara anëtare të BE-së.
Si rezultat i nevojës për tejkalimin e problemeve të caktuara të detektuara në procesin e implementimit të Ligjit për policinë në bazë të zbatimit të tij të deritanishëm, u imponua nevoja për precizimin e më shumë dispozitave në drejtim të precizimit më të qartë përmbajtësor dhe përmirësimit të zgjidhjeve ekzistuese, me qëllim të avancimit të legjislacionit në sferën e punës policore në kuadër të konceptit të ri të vendosur me Ligjin për procedurë penale.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Bajrami, potencoi se zgjidhjet e ofruara në Propozim-ligjin janë konstruktive dhe bazohen në bashkëpunimin e suksesshëm të cilin Ministria e Punëve të Brendshme e realizon me Prokurorinë Publike, Drejtorinë për mbrojtje të të dhënave personale, profesorë dhe ekspertë nga sfera përkatëse.
Në debatin publik, mendime, propozime, vërejtje dhe komente dhanë: znj. Radmilla Sheqerinska, kryetare e Këshillit; znj. Sillvana Boneva, nënkryetare e Këshillit; z. Oliver Spasovski, deputet dhe anëtar i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri; znj. Margarita Caca-Nikollovska, përfaqësuese e Institutit për të Drejtat e Njeriut; prof.dr.Gordana Kallajxhiev nga Fakulteti juridik - Shkup dhe përfaqësuese e Komitetit të Helsinkit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në RM, prof. Miodrag Llaboviq nga Fakulteti për siguri - Shkup; znj.Anica Tomshiq - Stojkovska nga zyra e Avokatit të popullit të Republikës së Maqedonisë dhe znj.Nada Naumovska nga Fondacioni shoqëri e hapur - Maqedoni.
Në debatin publik u dhanë mendime se Ligji për policinë është veçanërisht ligj i rëndësishëm dhe për ndryshimet e tij nevojitet debat më i thellë dhe analizë thelbësore dhe precizim më të qartë veçanërisht të dispozitave të Ligjit të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.